Rritet kriminaliteti në Gjenevë, bizneset po shprehin shqetësim

Kriminaliteti në Gjenevë po shënon një rritje të vazhdueshme, duke nxitur shqetësime jo vetëm te qytetarët, por edhe te komuniteti i biznesit, transmeton albinfo.ch.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondacioni për Atraktivitetin e Gjenevës, numri i veprave penale është rritur me 14,1 për qind ndërmjet viteve 2022 dhe 2025, duke u rritur nga 43.838 në 50.020 raste.
Në të njëjtën periudhë, popullsia e kantonit është rritur me vetëm 3,7 për qind, çka tregon se ritmi i rritjes së kriminalitetit ka qenë dukshëm më i lartë.
Pavarësisht se Gjeneva ka një nga raportet më të larta të numrit të policëve për banor në Zvicër, kantoni renditet i dyti në nivel kombëtar për numrin e veprave penale, me 94,2 raste për çdo 1.000 banorë. Vetëm Bazel-Qyteti ka një shkallë më të lartë të kriminalitetit.
Krimet kundër pronës mbeten faktori kryesor që ndikon në statistikat e kriminalitetit në Gjenevë. Numri i këtyre rasteve është rritur nga 32.057 në 36.844 gjatë tre viteve të fundit.
Ndër rastet që kanë shënuar rritje më të madhe janë vjedhjet e automjeteve, të cilat janë shtuar me 19,1 për qind. Po ashtu, edhe numri i vjedhjeve me thyerje ka pësuar rritje, duke kaluar nga 3.334 në 3.410 raste.
Këto shifra kanë rritur shqetësimet se siguria në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të Zvicrës po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha. /Albinfo.ch
The post Rritet kriminaliteti në Gjenevë, bizneset po shprehin shqetësim appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



