Rruga e pakalueshme e biznese të dëmtuara, banorët e Sojevës kërkojnë reagim urgjent
Banorët e fshatit Sojevë në Ferizaj që nga dita e djeshme janë të bllokuar nëpër shtëpitë e tyre për shkak të vërshimeve. Përveç bllokimit të lëvizjes, tetë biznese kanë pësuar dëme, ndërsa banorët thonë se as ekipet emergjente nuk po i vizitojnë, raporton KosovaPress. Të shqetësuar për gjendjen e krijuar, banorët kërkojnë intervenim urgjent nga


Banorët e fshatit Sojevë në Ferizaj që nga dita e djeshme janë të bllokuar nëpër shtëpitë e tyre për shkak të vërshimeve. Përveç bllokimit të lëvizjes, tetë biznese kanë pësuar dëme, ndërsa banorët thonë se as ekipet emergjente nuk po i vizitojnë, raporton KosovaPress.
Të shqetësuar për gjendjen e krijuar, banorët kërkojnë intervenim urgjent nga institucionet lokale e qendrore. Ata theksojnë se problemi i vërshimeve është i kahershëm dhe se kërkesat e tyre për zgjidhje janë anashkaluar ndër vite.
Banori Sylejman Shala, thotë për KosovaPress se fshati për 15 vjet përballet me të njëjtën situatë sa herë që ka reshje shiu.
Shala: Sa herë bie shi përballemi me vërshime, askush nuk ka intervenuar që 15 vjet
“Shqetësimet e tona janë se sa herë që ka reshje shiu, kemi gjendjen e njëjtë. Kjo gjendje është më së paku për 15 vjet, kemi bërë kërkesë në komunë, janë nënshkrimet e të gjithë qytetarëve, prej fshatit Dardani deri në Sojevë, asnjëherë nuk kanë intervenuar. Kanë ardhur na kanë vlerësuar dëmet, asnjëherë nuk na kanë qitur paratë. Gjendjen e njëjtë e kemi pasur edhe para dhjetë ditësh”, ka thënë Shala.
Ndërkohë, banori tjetër Misret Shala thotë se rruga është e pakalueshme tashmë për 24 orë.
Shala: 24 orë po bëhen që është rruga e bllokuar
“Shqetësimet tona janë shkaku i komunës që nuk e kanë marrë asnjë masë, 24 orë po bëhen që është rruga e bllokuar… Është problem, këtu nuk lëviz për momentin, ka pasur njerëz me kamionë dhe kanë mbetur aty, i kanë nxjerrë zjarrfikësit, është e palëvizshme”, ka thënë ai.
Edhe Kemajl Shala ndan të njëjtat shqetësime, duke thënë se intervenimet e institucioneve janë vetëm formale.
Shala: Intervenojnë sa për sy e faqe, asnjëherë askush nuk merren me banorët
“Gjendja po shihet, por është që 15 vjet, vetëm kur ka vërshime pa marrë parasysh se a janë të vogla, vinë dhe intervenojnë sa për sy e faqe, asnjëherë askush nuk merret me to. As komuna, as ministria nuk marrin asnjë vendim për të bërë një zgjidhje”, ka thënë Shala.
Edhe banori Xhevat Sallahu thotë se problemi është ngritur edhe në institucione lokale, por pa rezultat.
Sallahu ankohet në nivelin komunal për mungesë ndihme nga vërshimet
“I kam ngritur edhe më herët në kuvendin komunal, por edhe tek inspektorati komunal. Në radhë të parë është faktori njeri fajtor që kemi këtë gjendje, por edhe mos angazhimi i inspektorateve si i nivelit lokal, por edhe qendror. Kjo është radha e dytë që keqësohet gjendja”, tha Sallahu.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm, ndërsa rreziku nga reshjet e mëtejshme mbetet i lartë.

