‘Sagrada Familia’ bëhet kisha më e lartë në botë

Ndërtesa më e famshme e Barcelonës ka arritur 162.91 metra falë një kryqi të madh në kullën e saj kryesore The post ‘Sagrada Familia’ bëhet kisha më e lartë në botë appeared first on Gazeta Si.

‘Sagrada Familia’ bëhet kisha më e lartë në botë

Gazeta Si – Të enjten, kisha “Sagrada Familia” në Barcelonë të Spanjës u bë më e larta në botë, pasi punëtorët e ndërtimit vendosën pjesën e parë të një kryqi në majë të kullës qendrore.

Aktualisht ajo është 162.91 metra, duke tejkaluar Katedralen e dytë më të lartë, Ulm në Gjermani, e cila është 161.53 metra.

“Sagrada Familia” do të rritet edhe më shumë në lartësi: kur kryqi të përfundojë, kulla qendrore do të jetë 172 metra.

“Sagrada” Familia është ndërtesa më e famshme e Barcelonës. Ajo u projektua nga arkitekti katalanas Antoni Gaudí, i cili mori përsipër planet origjinale dhe vendosi t’i zgjerojë ato ndjeshëm, duke e transformuar ndërtesën në një katedrale madhështore me një stil unik arkitektonik që e ka bërë atë tepër të famshme.

Guri i parë u vendos në vitin 1882. Ndërtimi ka vazhduar që atëherë, i menaxhuar nga një fondacion dhe i financuar nga kontributet e turistëve dhe besimtarëve.

Puna në “Sagrada Familia” ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë, pjesërisht për shkak të shkallës së projektit dhe pjesërisht, sepse ka pësuar vonesa gjatë viteve.

Për shembull, gjatë Luftës Civile Spanjolle, disa anarkistë katalanas shkatërruan modelet e krijuara nga Gaudí, të cilat supozohej të udhëhiqnin ndërtimin, dhe puna u pezullua për disa vite, duke rinisur vetëm në vitet 1950. Kohët e fundit, puna u ndërpre gjatë epidemisë së Covid.

Ndërtimi i kullës qendrore të “Sagrada Familia” është planifikuar të përfundojë në vitin 2026, që përkon me 100-vjetorin e vdekjes së Gaudí-t.

Megjithatë, vetë ndërtesa nuk është përfunduar ende plotësisht: puna pritet të vazhdojë të paktën deri në vitin 2034.

Projekti përfshin gjithashtu disa aspekte shumë të diskutueshme, të tilla si ndërtimi i një shkalle të madhe, e cila do të çonte në prishjen e disa ndërtesave pranë katedrales.

The post ‘Sagrada Familia’ bëhet kisha më e lartë në botë appeared first on Gazeta Si.