Sejdiu: Ja pse pranova kandidaturën për president?

Sejdiu: Ja pse pranova kandidaturën për president?

Akademiku dhe juristi Bekim Sejdiu ka pranuar zyrtarisht propozimin e përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të qenë kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Kandidatura e tij u zyrtarizua të hënën në një konferencë të përbashkët për media, pas një takimi mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sejdiu, karriera e të cilit ka qenë e fokusuar kryesisht në fushën akademike dhe profesionale, deklaroi se vendimi për të hyrë në garë erdhi si pasojë e peshës së përgjegjësisë institucionale dhe rrethanave aktuale politike në vend.

“Më bën të nderuar besimi që të dyja partitë më kanë dhënë, është nder i madh”, u tha Sejdiu gazetarëve. “Duke qenë i vetëdijshëm për barrën e përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual politik, jam vënë në shërbim të Republikës dhe qytetarëve tanë që të shërbej me devotshmëri.”

Pajtimi mes dy partive më të mëdha për një kandidat të përbashkët konsiderohet hap kyç për zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe shmangien e krizave të mundshme institucionale.

Sejdiu shprehu gjithashtu besimin se spektri politik do të dëshmojë pjekuri për t’i dhënë vendit stabilitetin e nevojshëm.

“Shpresojmë dhe besojmë që Republika e Kosovës do të gjejë rrugë për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfidat e mëdha që na presin”, u shpreh ai.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.