SHBA-të i hapin dyert Osmanit, por jo edhe Kurtit

Dy ditë pas deklaratës së Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të veçanta, kundër kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar në  Washington, D.C. Osmani, e ftuar nga një grup kongresistësh amerikanë, do të  marrë  pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit dhe në një

SHBA-të i hapin dyert Osmanit, por jo edhe Kurtit

Dy ditë pas deklaratës së Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të veçanta, kundër kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar në  Washington, D.C.

Osmani, e ftuar nga një grup kongresistësh amerikanë, do të  marrë  pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit dhe në një ngjarje të rëndësishme të Kongresit amerikan, ku do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Gjatë fjalimit të saj, presidentja Osmani do të flasë rreth rrugëtimit te popullit të Kosovës, nga periudhat më të vështira deri te arritjet e sotme.

Hasani: Vizita e Osmanit në SHBA do të duhej të ndodhte pas zgjedhjeve

Nait Hasani, kandidati për deputet nga PDK-ja, ka komentuar vizitën e presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se një vizitë e tillë gjatë periudhës së fushatës nuk është e dëshirueshme.

‘’ Gjatë kohës së kësaj fushate  nuk është e dëshirueshme një vizitë e tillë si ajo e presidentes Osmani në Amerikë’’, tha Hasani për FrontOnline.

Ai shtoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve gjatë fushatës janë të ngrira dhe se vizita e presidentes Osmani nuk ka ndihmuar për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Sipas Hasanit, ka pasur sanksione, dhe ai mendon se vizitat e tilla duhej të realizoheshin pas përfundimit të zgjedhjeve

‘’ Nuk përmirësohen marrëdhëniet  gjatë fushatës, marrëdhëniet kanë qenë të ngrira, ne kemi sanksione dhe mendoj që është dashur të përfundojnë zgjedhjet pastaj të bëhen vizitat’’, Përfundoi Hasani.

 

Nimani: Pas vizitës së suksesshme të Haradinajt presidentja Osmani po i viziton SHBA-të

Artan Nimani, kandidati për deputet nga AAK-Nisma, ka komentuar vizitën e presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite, pas vizitave, siç thotë ai, të suksesshme të Ramush Haradinajt. Ai theksoi se vizitat e presidentes Osmani konfirmojnë mbështetjen e qeverisë amerikane për popullin e Kosovës dhe përjashtojnë kryeministrin Kurti nga çdo proces vendimmarrës.

‘ Unë mendoj që pas vizitave të suksesshme që zhvilloi Ramush Haradinaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ,vizitat e presidentes Osmani konfirmojnë mbështetjen e qeverisë Amerikane për popullin e Kosovës ,por njëkohësisht edhe përjashtojnë kryeministri Kurti nga do proces I vendim marrjes’’, tha Nimani për FrontOnline.

Nimani vuri në dukje se deklarata e Richard Grenell, i dërguari special i presidentit Trump, është një tregues i qartë që SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë nuk duan të komunikojnë me ata që, sipas tij, janë mashtrues. Ai shtoi se miqtë amerikanë janë lodhur me qëndrimet e Kurtit dhe beson se vizita e presidentes Osmani do të jetë e suksesshme, duke rikthyer qëndrimet pozitive të Amerikës për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

‘’ Unë konsideroj se vet prononcimi I z.Grenell si përfaqësues special I presidentit Trump është I mjaftueshëm se SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë nuk duan të komunikojnë me njerëz të cilët në parim janë mashtrues sepse edhe miqtë tanë amerikan janë lodhur me  qëndrimet e Kurtit,besoj se vizita e Osmanit gjithsesi do të jetë e suksesshme dhe do të rikthejë qëndrimet e Amerikës për Qeverinë e re të 9 shkurtit’’, përfundoi Nimani.

Muhaxhiri: Nuk do të ketë mbështetje ‘blanco’ për presidenten Osmani nga Amerika

Njohësi politik  Artan Muhaxhiri  theksoi se mbështetja e madhe për presidenten Osmani në të kaluarën ka qenë e ndërlidhur me idenë që ajo të shërbente si një kundërpeshë ndaj Kurtit, duke pasur parasysh mentalitetin politik të kryeministrit, i njohur mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

‘’ Natyrisht që vizita e presidentes Osmani lidhet me deklaratën e Grenell për kryeministrin Kurti. Përkrahja e madhe për presidenten Osmani në fushatën e kaluar por edhe më herët ka qenë e ndërlidhur me një ide që ajo të shërbejë si një kundër peshë ndaj kryeministrit Kurti sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur mentalitetin politik të kryeministrit Kurti’’, tha Muhaxhiri

Muhaxhiri mendon se presidentja Osmani, si një politikane ndryshe, kishte mundësinë të krijonte një balancë politike, me një qetësi dhe racionalitet të ndryshëm, siç thotë ai, nga ekstremizmi i Kurtit.

Megjithatë, ai thekson se gjatë katër viteve të fundit kjo nuk ka ndodhur dhe tani pëlqimi amerikan për Osmanin mund të marrë një formë tjetër. Muhaxhiri është i bindur se mbështetja amerikane për presidenten Osmani nuk do të jetë e pakufizuar, Sipas tij, është e nevojshme që të ketë një ndryshim, edhe në diskutimet publike ose në paraqitjet mediatike, për të ofruar një opsion tjetër më realist në raport me politikat ekstreme të kryeministrit Kurti.

Agim Rexhepi: Vizita e presidentes Osmani në SHBA një sinjal pozitiv për afrimin e dy shteteve

Agim Rexhepi, Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ka komentuar vizitën e presidentes Vjosa Osmani në Washington, duke e quajtur atë shumë pozitive. Ai tha se shkuarja e presidentes Osmani në SHBA duhet të shikohet me simpati nga të gjithë shtetasit e Kosovës, pavarësisht dallimeve partiake apo politike.

‘’ Vizitën e Osmanit në Washington  e shoh shumë pozitive. Shkuarja e presidentes Osmani në SHBA duhet ta shihet me shumë simpati nga  të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës pavarësisht dallimeve partiake, politike’’, tha Rexhepi për FrontOnline.