Shqiptarët falin namazin e Fitër Bajramit në Cyrih
Besimtarët myslimanë shqiptarë kanë falur namazin e Fitër Bajramin në Sallën e Sporteve në Kloten, afër Aeroportit të Cyrihut The post Shqiptarët falin namazin e Fitër Bajramit në Cyrih appeared first on Albinfo.

Besimtarët myslimanë shqiptarë të dielën kanë në mëngjes kanë falur namazin e Fitër Bajramit në Sallën e Sporteve në Kloten, afër Aeroportit të Cyrihut, njofton albinfo.ch.
Qindra shqiptarë nga Zvicra janë bashkuar për të falur namazin e Fitër Bajramit, që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit.
Besimtarët kanë bërë thirrje për paqe, lumturi dhe dashuri mes njëri-tjetrit.
Mesazhi për Fitër Bajram
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
Atij që na mundësoi ta jetojmë Ramazanin me agjërim, adhurim e devotshmëri. Atij që e zbriti Kuranin si udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzimin. Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashoq, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, shokët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Të dashur besimtarë dhe besimtare,
Sot është ditë gëzimi, ditë falënderimi, ditë e begatë që vjen pas një muaji përkushtim. Sot është Fitër Bajrami – festa e shpërblimit pas agjërimit, faljes, sakrificës dhe vetëpërmbajtjes. Sot është ditë ku zemrat e besimtarëve pushojnë në mëshirën e Allahut dhe gëzohen me mirësinë e Tij.
Ramazani që lamë pas ishte një shkollë e madhe e përkushtimit ndaj Zotit, e vetëdijes shpirtërore dhe e forcimit të karakterit e moralit. Nëpërmjet agjërimit ne e ushtruam veten për durim, përmbajtje, falje dhe mirësjellje. Nëpërmjet leximit të Kuranit e afruam shpirtin tonë më pranë fjalës së Allahut. Nëpërmjet sadakasë dhe zekatit u kujdesëm për nevojtarët, dhe nëpërmjet namazit të natës i afruam lutjet tona më pranë mëshirës së Zotit.
Tani që Ramazani përfundoi, le të mos mendojmë se përkushtimi ynë merr fund. Fitër Bajrami nuk është fundi i adhurimit, por vazhdimi i udhëtimit me besim, i pajisur me atë që mësuam gjatë Ramazanit. Le të jetë kjo festë një pikë kthese për ta bërë Kuranin udhërrëfyes të përditshëm, namazin shtyllë të jetës dhe moralin të përndritur në çdo sjellje.
Mos t’i harrojmë vëllezërit tanë në nevojë, as sot, as në ditët që vijnë. Mos t’i harrojmë jetimët, të varfrit, të sëmurët, ata që i ka kapluar mërzia dhe vetmia. Le ta ndajmë gëzimin tonë me ta. Le ta pastrojmë zemrën nga inati, urrejtja e zilia. Le ta zgjasim dorën e afrimit dhe dashurisë mes njëri-tjetrit.
Le të madhërojmë Allahun sot me fjalë të bukura, me zemra të sinqerta dhe me sjellje që pasqyrojnë devotshmërinë tonë.
O Allah, pranoje agjërimin, namazin, sadakan dhe lutjet tona!
Na jep shëndet, begati dhe paqe në familjet dhe shoqëritë tona.
Na fal për gabimet tona, dhe na bashko në këtë botë dhe në Xhenet me të dashurit tanë.
Amin, o Zot i botëve!
Qofshi të bekuar dhe paqja e Zotit qoftë mbi ju !
Gëzuar festa e Fitër Bajramit!
The post Shqiptarët falin namazin e Fitër Bajramit në Cyrih appeared first on Albinfo.