BDI: Pas më shumë se dy vitesh, Afrim Gashi pranon se VLEN-i nuk ka legjitimitetin e shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me sigurimin e shumicës parlamentare për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Sipas BDI-së, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, Gashi ka pranuar publikisht atë që kjo parti, siç thotë, e ka theksuar që nga fillimi – se koalicioni VLEN nuk ka mbështetjen e mjaftueshme politike dhe etnike për të garantuar të drejtat e shqiptarëve.
Në emisionin „Click Plus“ në TV21, Gashi ka deklaruar se „nuk e dimë, nuk jemi të sigurt“ nëse Qeveria i ka votat e nevojshme në Kuvend për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
BDI-ja e cilëson këtë si një „pranim serioz politik“, duke pretenduar se VLEN-i, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, nuk është faktor vendimmarrës, por mbështetës i VMRO-DPMNE-së.
„Për çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët, ata nuk vendosin dhe nuk kanë as guximin, as fuqinë politike për të siguruar mbështetjen e nevojshme“, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, VLEN-i erdhi në pushtet me premtimin se do ta zgjidhte çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. BDI-ja vlerëson se deklarata e Gashit tregon se edhe pas dy vitesh në pushtet nuk është e qartë nëse Qeveria i ka votat e nevojshme për miratimin e këtij ligji.
„Atëherë shtrohet pyetja: Cili është roli i VLEN-it në këtë Qeveri?“, pyet BDI-ja.
Në reagim, partia akuzon VLEN-in se, kur bëhet fjalë për interesat politike të shqiptarëve, hesht, ndërsa kur duhet të kërkojë garanci për shqiptarët tërhiqet. BDI-ja pretendon gjithashtu se VLEN-i nuk arrin të sigurojë mbështetjen parlamentare për një ligj që e konsideron të rëndësishëm.
BDI-ja rikujton se, sipas saj, ka paralajmëruar më herët se pa një legjitimitet të fuqishëm politik shqiptar dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë, VLEN-i nuk mund të imponojë një agjendë politike shqiptare brenda Qeverisë.
Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti shprehet kritike edhe ndaj paralajmërimeve për dialog politik dhe mundësisë që ligji të ndryshohet pasi të vlerësohet zbatimi i tij.
„Shqiptarëve nuk u duhen eksperimente dhe improvizime. Atyre u nevojitet një mekanizëm i qartë, kushtetues dhe funksional që do të garantojë përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore“, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, çështja nuk paraqet vetëm dështim të një ligji, por edhe dështim të një modeli qeverisës.
„Ky nuk është vetëm dështim i një ligji. Ky është dështim i një modeli të qeverisjes që i përdori shqiptarët për të ardhur në pushtet, ndërsa pas zgjedhjeve i la pa zë, pa garanci dhe pa fuqi politike“, deklaron BDI-ja.
Në përfundim të reagimit, BDI-ja përdor një gjuhë të ashpër politike ndaj VLEN-it, duke e akuzuar këtë koalicion se është i varur nga partneri më i madh qeveritar.
„Pas më shumë se dy vitesh, paterica e VMRO-DPMNE-së vetë pranoi se nuk mund të ecë pa të“, përfundon reagimi i BDI-së. përcjell Zhurnal.mk.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



