Shumica e zviceranëve e konsiderojnë vitin 1848 si lindjen e Zvicrës, jo 1291

Një sondazh i Institutit Sotomo, i realizuar për Feldschlösschen, tregon se 52 për qind e zviceranëve e konsiderojnë vitin 1848 si momentin kur lindi Zvicra si shtet, ndërsa vetëm 21 për qind besojnë se themelimi i saj daton nga viti 1291. Sipas anketës, kjo bindje është veçanërisht e përhapur në Zvicrën gjermanofolëse, ndërsa në Zvicrën frankofone dhe në Ticino mendimet janë më të ndara, përcjell albinfo.ch.
Sondazhi nxori në pah edhe mënyrën se si zviceranët e shohin figurën e Wilhelm Tellit. Gati dy të tretat e të anketuarve e konsiderojnë atë një personazh legjendar ose hero letrar, ndërsa vetëm 27 për qind besojnë se ai ishte një luftëtar historik për lirinë kundër Habsburgëve.
Të pyetur se pse Zvicra i shpëtoi shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, 56 për qind e pjesëmarrësve thanë se arsyeja kryesore ishte interesi i Gjermanisë naziste për ta ruajtur Zvicrën si qendër financiare neutrale. Vetëm rreth një e pesta përmendën strategjinë e Reduit Kombëtar ose neutralitetin si faktorët kryesorë.
Sipas autorëve të studimit, rezultatet tregojnë se zviceranët e interpretojnë historinë gjithnjë e më shumë përmes sfidave dhe realiteteve të sotme. Sondazhi u zhvillua me 2.495 persona në të gjithë Zvicrën.
The post Shumica e zviceranëve e konsiderojnë vitin 1848 si lindjen e Zvicrës, jo 1291 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



