SPERTK: Po hyjmë në muajin e tretë pa paga, gjendja e punëtorëve e rënduar
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) njofton se punëtorët e transmetuesit publik kanë hyrë në muajin e tretë pa paga, ndërsa institucionet shtetërore, sipas tyre, po vazhdojnë t’i injorojnë kërkesat urgjente për zgjidhje. Në komunikatë e SPRTK-së thuhet se gjendja sociale e punëtorëve dhe funksionimi i RTK-së janë “të rënduar në skaj”


Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) njofton se punëtorët e transmetuesit publik kanë hyrë në muajin e tretë pa paga, ndërsa institucionet shtetërore, sipas tyre, po vazhdojnë t’i injorojnë kërkesat urgjente për zgjidhje.
Në komunikatë e SPRTK-së thuhet se gjendja sociale e punëtorëve dhe funksionimi i RTK-së janë “të rënduar në skaj”, duke e cilësuar situatën të papranueshme. Sindikata thekson se greva do të vazhdojë dhe u bën thirrje të gjithë punëtorëve për mbështetje të plotë në veprimet e tyre të, siç thuhet, “drejta dhe ligjore”.
SPERTK paralajmëron se brenda kësaj jave do të dalë me qëndrim për bojkot të plotë të punës, duke qenë se janë “të shtyrë nga mosveprimi i Qeverisë së Kosovës”, e cila deri tani, sipas sindikatës, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ofruar zgjidhje, pavarësisht dhjetëra kërkesave të adresuara.
“Si është e mundur të gjenden para për zgjedhje, e të mos gjenden për bukën e gojës së 700 familjeve?, kjo është e papranueshme”, thuhet në reagim.
Sindikata i bën thirrje qeverisë të zgjidhë urgjentisht problemin e alokimit të buxhetit, për të mos i detyruar punëtorët të ndërmarrin masa të padëshiruara. SPERTK kërkon gjithashtu që, pas konstituimit të legjislaturës së re, të miratohen pa vonesë ligji për financimin e pavarur të RTK-së dhe zgjidhja e çështjes së pronës, duke theksuar se transmetuesi ka nevojë për një mekanizëm të qëndrueshëm të funksionimit si mediumi i vetëm publik në vend.
Në komunikatë, sindikata rikujton se, në vend që buxheti i RTK-së të rritet apo të mbështetet zhvillimi i transmetuesit, ka ndodhur e kundërta: jo vetëm nuk është ndarë rritja prej 0.7% nga buxheti nacional, por janë hequr edhe 2.2 milionë euro nga buxheti aktual, tashmë më i vogli në rajon për mediat publike.
SPERTK konfirmon se greva do të vazhdojë dhe paralajmëron se në fund të javës pritet të merret vendim për një bojkot total të ngjarjeve politike dhe mosmbulim të fushatës elektorale. Sindikata kërkon zyrtarisht nga menaxhmenti i RTK-së ndërprerjen e menjëhershme të mbulimit të aktiviteteve politike dhe fushatës zgjedhore.
“Nëse nuk merret një vendim në kohë, ne do të dalim shumë shpejt me qëndrimin tonë”, përfundon njoftimi i SPERTK-së.

