Viktima e tretë nga ethet e Nilit Perëndimor, Klekovski: 6 prej 35 rasteve të konfirmuara në gjendje kritike

Viktima e tretë nga ethet e Nilit Perëndimor, Klekovski: 6 prej 35 rasteve të konfirmuara në gjendje kritike

Gjatë fundjavës ka ndërruar jetë një pacient i infektuar me ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të viktimave nga kjo sëmundje në vend. Derisa ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar 35 raste me ethe të Nilit Perëndimor, ndërsa gjashtë pacientë të tjerë ndodhen në gjendje kritike dhe janë të vendosur në repartin e kujdesit intensiv.

“Aktualisht ka 35 raste të konfirmuara dhe tre raste të dyshuara të etheve të Nilit Perëndimor, të cilët janë në proces të diagnostikimit, dhe gjashtë janë në gjendje kritike dhe janë në kujdes intensiv në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Nga rastet e konfirmuara, shumica po trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, dhe një pacient po trajtohet në një strukturë private shëndetësore”, tha Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.

Në ndërkohë informojmë se deri më tani nuk ka vaksinë në dispozicion për t’u mbrojtur kundër virusit të Nilit Perëndimor, i cili më shpesh transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të gjinisë Culex. Thuhet se periudha e inkubacionit nga momenti i pickimit të mushkonjës varion nga dy deri në 14 ditë, dhe tek njerëzit me imunitet të dobësuar kjo periudhë mund të zgjatet në 21 ditë.

Raportohet se rreth 80 përqind e njerëzve të infektuar me virusin nuk përjetojnë asnjë simptomë, ndërsa afërsisht 20 përqind e pacientëve mund të përjetojnë simptoma të tilla si ethe, dobësi, të përziera dhe të vjella, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh. Rastet e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor raportohen më shpesh në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore. /Anida Murati /SHENJA/

The post Viktima e tretë nga ethet e Nilit Perëndimor, Klekovski: 6 prej 35 rasteve të konfirmuara në gjendje kritike appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.