VMRO dhe LSDM “shtyhen” se kush sa deputetë do të merrte nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare

Tre ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE dhe LSDM po analizojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe po vlerësojnë se sa deputetë do të fitonin nëse nesër do të mbaheshin zgjedhje parlamentare në vend, transmeton Portalb.mk. VMRO-DPMNE në pushtet thotë se me 300,000 votat që mori në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet e mundshme parlamentare, […]

VMRO dhe LSDM “shtyhen” se kush sa deputetë do të merrte nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare
Zgjedhje lokale 2025 (rrethi i parë) në RMV. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tre ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE dhe LSDM po analizojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe po vlerësojnë se sa deputetë do të fitonin nëse nesër do të mbaheshin zgjedhje parlamentare në vend, transmeton Portalb.mk.

VMRO-DPMNE në pushtet thotë se me 300,000 votat që mori në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet e mundshme parlamentare, sipas modelit të Dontit, partia do të fitonte mbi 60 deputetë, ndërsa LSDM thotë se në disa njësi zgjedhore do të ishte partia e tretë.

“Në këto zgjedhje, VMRO-DPMNE fitoi 12,000 vota më shumë se në vitin 2021, ndërsa SDS u fundos me -111,000 vota. Kjo është një humbje që pasqyron më së miri mosbesimin e qytetarëve në politikat e tyre të dështuara, qeverisjen e paaftë dhe personelin me cilësi të dobët. Tani është koha ta rrumbullakosim këtë fitore të madhe në raundin e dytë”, thotë VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, LSDM-ja opozitare thotë se sipas votave të marra në zgjedhjet e së dielës, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tani, partia do të fitonte të paktën 21 deputetë, ndërsa VMRO-DPMNE do të kishte 52 deputetë.

“VMRO-DPMNE nuk mund ta fshehë rënien e saj, ndërsa numrat janë të qartë dhe të pamëshirshëm ndaj tyre. Përpjekjet e dëshpëruara për manipulim janë rezultat i tronditjes që përjetuan dhe rënies prej mbi 140,000 votash, që është një sinjal i qartë se gënjeshtrat dhe politikat e tyre të gabuara janë lexuar. LSDM vazhdon betejën për 17 komuna të tjera. Qytetarët duhet të dalin masivisht në votime në raundin e dytë dhe të votojnë për kandidatët e LSDM-së, njerëz të dëshmuar dhe të ndershëm që dëshmuan qartë në raundin e parë se kanë diçka për të ofruar”, thotë LSDM.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE dhe koalicioni fituan 301,720 vota, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga LSDM mori 125,758 vota.

Krahasuar me dy ciklet e mëparshme zgjedhore, VMRO-DPMNE fitoi rreth 135,000 vota më pak të dielën sesa fitoi për deputetët në maj të vitit të kaluar, dhe më shumë se 10,000 vota më pak për listat e këshilltarëve në vitin 2021. Megjithatë, për LSDM-në rezultati i të dielës është më i keq me rreth 30,000 vota krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe me rreth 110,000 vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.