VV-ja me kushte për opozitën, për konstituimin e Komisionit për Rezerva Shtetërore
Është hera e katërt prej që opozita po tenton të bëjë konstituimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Rezerva Shtetërore. Mirëpo kjo nuk është arritur për shkak të mosprezencës së deputetëve të pozitës. Pushteti po kërkon kompromis. Kompromisi i tyre është që opozita paraprakisht duhet të votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Kështu po thotë për Front Online deputeti […]


Është hera e katërt prej që opozita po tenton të bëjë konstituimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Rezerva Shtetërore.
Mirëpo kjo nuk është arritur për shkak të mosprezencës së deputetëve të pozitës.
Pushteti po kërkon kompromis.
Kompromisi i tyre është që opozita paraprakisht duhet të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Kështu po thotë për Front Online deputeti i VV-së, Halil Thaçi.
“Ne jemi pro Komisionit Hetimor Parlamentar për Rezervat, ne kemi votuar anëtarët e komisionit. Sido që të jetë, është themeluar komisioni hetimor, ne jemi për të ecur përpara, mirëpo para se të ec ky komision hetimor, opozita duhet ta ketë një gjë të qartë nuk duhet të bllokohet marrëveshjet ndërkombëtare, është e paprecedentë atë që po e bënë opozita në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.
Thaçi po e pret me padurim punën e Komisionit Hetimor për Rezerva.
Kjo, pasi që siç thotë ai, përmes këtij të fundit do të dëshmohet pafajësia e ministres Rozeta Hajdari.
“Unë personalisht me padurim e pres qëllimin e punës së atij Komisioni Hetimor Parlamentar që jam i bindur që aty është një kauzë e rrejshme e opozitës, që nga ai komision hetimor parlamentar do të zbulohet e vërteta sepse Ministrja Rozeta Hajdari krejtësisht e pafajshme nga ato çka m’vishen nga opozita”, u shpreh ai.
Bunjaku-Rexhepi: Komisioni Hetimor për Rezervat do të nxjerr në pah skandalet e VV-së
Mirëpo, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku po mendon ndryshe.
Sipas saj, me Komisionin Hetimor Parlamentar për Rezervat do të dilnin në pah skandalet e Vetëvendosjes.
“E dinë thellë skandalin, nuk duan të del e vërteta, frika se pas zbardhjes së këtij skandali, do të humbin në elektorat dhe do të demaskohet krejt Vetëvendosja”, tha ajo.
Deputetja Bunjaku thotë që opozita do ta kthejë Kosovën në rrugë të mbarë.
“Kur pushteti donte të bënte gjithçka vetë, nuk bënte asnjë kompromis me opozitën, ne e përdorëm si mjet demokratik, mospjesëmarrjen në marrëveshjet ndërkombëtare, për ta ruajtur standardin demokratik në Kuvend e shtet, duke i përçuar mesazhin se ju jeni mazhoranca, por opozita është gjallë, aktive dhe së shpejti do ta kthejë Kosovën në rrugë të mbarë. Kjo bëri që pushteti duke bojkotuar Komisionin Hetimor, kujtonte se po imitonte opozitën, e që është absurde, pasi pushteti ka mazhorancën, ka numrat, vetëm urdhëroni, punoni!”, deklaroi ajo për Front Online.
Bunajku, ka deklaruar se Qeveria do të rrëzohej, nëse ndodhë hetimi i plotë ndaj skandalit për rezerva shtetërore.
Sipas saj, rasti me rezerva është skandali më i madh që nga paslufta.
“Sidoqoftë, arsyeja kryesore qëndron në atë se, skandali me rezervat shtetërore mbetet më i madhi që nga paslufta. Me zbardhjen e plotë të tij, do të duhej të binte krejt Qeveria Kurti dhe drejtësia të merrej me njerëzit që kanë qenë përgjegjës, ndonëse disa veçse është duke i hetuar”, ka thënë ajo.
Ndryshe, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas dyshimeve për abuzime të mundshme.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audio-incizimeve për rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro./Front Online