Zbardhet drafti për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore! Plotësohet kushti për barazi, Lapaj dhe Qori pjesëmarrës pa të drejtë vote

Komisioni i ri i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, do të përfshijë të gjitha partitë e mbledhura në Kuvendin e Shqipërisë. Përveç dy partive të mëdha, PS dhe PD, formula e parashikuar i le një karrige dy partive parlamentare që kanë më shumë se dy deputetë në Kuvend, që në bazë te zgjedhjeve të 11 majit […] The post Zbardhet drafti për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore! Plotësohet kushti për barazi, Lapaj dhe Qori pjesëmarrës pa të drejtë vote appeared first on Ditar.al.

Zbardhet drafti për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore! Plotësohet kushti për barazi, Lapaj dhe Qori pjesëmarrës pa të drejtë vote

Komisioni i ri i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, do të përfshijë të gjitha partitë e mbledhura në Kuvendin e Shqipërisë.

Përveç dy partive të mëdha, PS dhe PD, formula e parashikuar i le një karrige dy partive parlamentare që kanë më shumë se dy deputetë në Kuvend, që në bazë te zgjedhjeve të 11 majit rezulton të jenë PSD e Tom Doshit dhe Partia Mundësia e Agron Shehajt.

Po ashtu pjesë do të jenë edhe dy partitë ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit.

Përfaqësuesit e tyre mund të marrin pjese në komision, të bëjnë propozime, por pa të drejtë vote.

Komisioni i posaçëm parlamentar me 16 anëtarë, pritet të ngrihet në seancën plenare në Kuvend më 30 tetor dhe pritet të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, me një afat pune, 9 muaj.

Por ky komision mund të zgjasë punën e tij nëse kërkohet nga të dy bashkëkryetarët dhe miratohet më pas nga Kuvendi.

Drafti:

Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.

II. Komisioni i posaçëm ka objekt të veprimtarisë së tij:
a) hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore;
b) trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025; si dhe të zgjedhjeve të mëparshme të patrajtuara;
c) trajtimin e rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse;
ç) hartimin e një ligji për financimin e partive politike.

III. Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 7 anëtarë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 7 anëtarë janë përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe 2 anëtarë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025. Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.

IV. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

V. Pranë Komisionit ngrihet grupi i ekspertëve teknikë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

VI. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODIHR-it, Këshilli i Europës, ekspertë të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues dhe/ose ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve ftohen të ndjekin, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve teknikë të ngritur pranë tij.

VII. Çdo parti që përfaqësohet në komision ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Palët duhet të angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

VIII. Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit. Në mbledhjet e Komisionit mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.

IX. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 9-mujor nga miratimi i këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të dy bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit me një vendim të veçantë të Kuvendit.

X. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, si dhe për mbështetjen me burime njerëzore, financiare dhe logjistike të veprimtarisë së Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

The post Zbardhet drafti për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore! Plotësohet kushti për barazi, Lapaj dhe Qori pjesëmarrës pa të drejtë vote appeared first on Ditar.al.