Moti në Zvicër gjatë tetorit, më i ngrohtë dhe më i thatë se mesatarja

Temperatura mesatare në Zvicër gjatë muajit tetor ishte tetë gradë Celsius, që është 1,4 gradë mbi mesataren e periudhës së referencës 1991–2020.
Megjithatë, temperaturat ishin larg niveleve rekord, bëri të ditur Zyra Federale e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSwiss).
Temperaturat mesatare të tetorit renditen aktualisht si të 11-at më të larta që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1864. Tetori më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë ishte ai i vitit 2022, me një temperaturë mesatare prej 10,4 gradësh.
Në tetor 2026, sasia e reshjeve ishte nën mesataren deri pak para fundit të muajit. Reshje më të shumta pati në rajonin e Jurës, deri në Bazel, ndërsa kantonet Graubünden dhe Valais, ana jugore e Alpeve dhe rajoni i Engadinit shënuan mungesë reshjesh, në disa raste edhe të konsiderueshme.
Sa i përket kohëzgjatjes së diellit, shumë rajone të Zvicrës nuk arritën mesataren e periudhës 1991–2020 gjatë muajit tetor, raporton swissinfo. Vetëm Ticino dhe pjesa qendrore e vendit regjistruan më shumë orë me diell në krahasim me këtë mesatare, transmeton albinfo.ch.
Ngjyrat e vjeshtës u shfaqën më herët
Pas nxehtësisë rekord dhe thatësirës gjatë gjysmës së vitit 2026 që përkon me verën, bimësia reagoi ndryshe në tetor ndaj temperaturave më të ulëta dhe reshjeve të herëpashershme.
Stresi i shkaktuar nga thatësira kishte çuar tashmë në ndryshimin e ngjyrës dhe rënien e gjetheve në disa rajone që nga fundi i verës, por ndryshimi “i vërtetë” i ngjyrave të vjeshtës ndodhi më vonë se zakonisht.
Ndryshimi i parakohshëm i ngjyrës së gjetheve u vërejt te drurët si ahu, shkoza, bliri, gështenja e egër, mështekna dhe pemët frutore, rreth tre deri në katër javë më herët se zakonisht.
Rimëkëmbja e pjesshme në fillim të tetorit, në disa vende, dukej si një “pranverë e dytë”. Për shembull, në disa rajone u vërejt një valë e dytë e daljes së gjetheve dhe lulëzimit te disa pemë molle dhe dardhe. Bimët që lulëzojnë zakonisht në pranverë, si margaritaret dhe lule të tjera të ngjashme, prodhuan gjithashtu një valë të dytë lulëzimi.
The post Moti në Zvicër gjatë tetorit, më i ngrohtë dhe më i thatë se mesatarja appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



