Zvicër: 70 mijë përdorues preken nga ndryshimi i dosjeve elektronike shëndetësore

Sistemi i dosjeve elektronike të pacientëve në Zvicër po kalon një proces centralizimi, ndërsa disa platforma rajonale po bashkohen me sistemin Cara.
Platforma, e krijuar fillimisht nga pesë kantone frankofone, është zgjeruar me përfshirjen e Abilis dhe pritet të marrë edhe platformën Mon Dossier Santé të kantonit të Neuchâtelit. Për përdoruesit e këtyre platformave, kalimi pritet të bëhet automatikisht, megjithëse mund të ketë disa ditë ndërprerje gjatë migrimit.
Ndërkohë, rreth 70 mijë përdorues të Post Sanela do të përballen me një proces tjetër. Posta Zvicerane ka njoftuar se do ta mbyllë këtë platformë në fund të vitit 2026. Përdoruesit, kryesisht në Bernë dhe në disa kantone gjermanofolëse, do të duhet të zgjedhin nëse do t’i transferojnë të dhënat në një platformë tjetër, do t’i ruajnë si kopje rezervë apo do t’i mbajnë në një zgjidhje të ofruar nga Posta Zvicerane.
Sipas drejtuesit të Cara-s, Patrice Hof, rreziku është që një pjesë e përdoruesve të mos i përfundojnë procedurat e transferimit dhe të dhënat e tyre të mos migrohen.
Ndryshimet vijnë në prag të reformës së sistemit kombëtar të dosjeve elektronike shëndetësore, të cilin Zvicra synon ta zhvillojë më tej deri në vitin 2030. Autoritetet theksojnë se hapja e një dosjeje elektronike edhe sot mbetet e dobishme, pasi të dhënat ekzistuese pritet të ruhen dhe të integrohen në sistemin e ardhshëm.
The post Zvicër: 70 mijë përdorues preken nga ndryshimi i dosjeve elektronike shëndetësore appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



