Zvicra hap linjë të re ndihme për viktimat e urrejtjes në internet

Një linjë e re ndihme për viktimat e dhunës digjitale pritet të bëhet funksionale në fund të tetorit në Zvicrën gjermanofolëse.
Platforma, e quajtur “hatehelp”, synon të shërbejë si pikë e specializuar kontakti për personat e rritur që përballen me urrejtje, kërcënime dhe forma të tjera të dhunës në internet, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Sipas Jeremias Schulthess, drejtor menaxhues i organizatës Fairmedia, e cila qëndron pas projektit, shërbimi pritet të nisë më 27 tetor.
Qëllimi është që viktimat të marrin shpejt orientim dhe mbështetje profesionale për situatat me të cilat përballen në hapësirën digjitale.
Në fazën fillestare, katër persona në Fairmedia do të punojnë për “hatehelp”, ndërsa tre prej tyre do të merren drejtpërdrejt me këshillimin. Ekipi do të trajnohet posaçërisht për trajtimin e rasteve të dhunës digjitale.
Personat e prekur do të mund ta kontaktojnë shërbimin përmes një formulari në internet ose me telefon. Gjatë konsultimit të parë do të vlerësohet çfarë ka ndodhur dhe çfarë lloj ndihme i nevojitet personit.
Ndihma mund të përfshijë ruajtjen e provave të sulmeve në internet, mbrojtjen e llogarive, vlerësimin fillestar të rrezikut, orientimin juridik dhe mbështetjen emocionale.
Konsultimi i parë do të jetë falas, ndërsa shërbimet e mëtejshme të këshillimit do të jenë me pagesë.
Shërbimi u drejtohet të gjithë të rriturve të prekur nga dhuna digjitale. Sipas Fairmedia, ndër grupet që përballen më shpesh me sulme të tilla janë figurat publike, gratë dhe personat LGBTIQ.
Projekti financohet aktualisht nga disa fondacione dhe organizata, ndërsa synohet që në të ardhmen të krijohet edhe një model financimi afatgjatë.
The post Zvicra hap linjë të re ndihme për viktimat e urrejtjes në internet appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



