Zyrtarizohet koalicioni i PDK-së me “Listën për Familjen”
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë një koalicion me “Listën për Familjen”. Kjo u bë e ditur në konferencën për media nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza. “Sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj që me z. Rrahmani dhe anëtarë të tjerë të listës Familja kemi bërë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij


Partia Demokratike e Kosovës ka bërë një koalicion me “Listën për Familjen”. Kjo u bë e ditur në konferencën për media nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj që me z. Rrahmani dhe anëtarë të tjerë të listës Familja kemi bërë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, emergjencat, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm dhe se do të kemi sukses. Normalisht që do të kemi pjesëmarrje nga lista Familja në listën zgjedhore të PDK-së. Është vlerë e shtuar çdo kandidat për deputet që do të jetë në listën e përbashkët”, tha ai.
Eman Rrahmani e quajti Hamzën figurë unifikuese.
“Ne kemi diskutuar çështjen e zhvillimit, energjinë, aspektin social dhe familjen në përgjithësi dhe kemi arritur dakrodim të plotë me të gjitha pikat dhe jemi dakorduar dhe zotuar për një angazhim të përbashkët në ngritje të mirëqenies, familjes, të identitetit tonë por edhe punët që e presin vendin tonë. Me Hamzën kemi pas bashkëpunime të vazhdueshme, ndaj edhe si një figurë unifikuese dhe profesionale sidomos në fushën ekonomike, sot vendi ka nevojë që ne të bashkojmë forcat dhe të bëjmë rrugëtim politik të dinjitetshëm ku vlerat e përbashkëta t’i angazhojmë në punë të përbashkët dhe mirëqenie”, tha Rrahmani.
Hamza shtoi se deri me datë 30 të këtij muaji do të vendosin se si do të garojnë.
“Sa i përket bashkëpunimit, ne jemi të hapur gjithmonë duke parë interesat e PDK-së, por duke respektuar edhe kërkesat dhe interesat e subjekteve tjera politike. Do të thotë, ne kemi treguar se kemi bërë hapje, kemi prurje të reja. Sot e finalizuam edhe një marrëveshje me listën Familja, që është një vlerë e shtuar jo vetëm për PDK-në, por unë jam i bindur se do të jetë për Kosovën. Ne jemi gjithmonë të hapur që në rrugëtimin tonë të na bashkohen edhe të tjerë. Sa i përket mënyrës së garimit dhe se si do të jetë kjo, deri më datën 30 do të kemi kohë të mendojmë se cila do të jetë mënyra dhe forma më e mirë e garimit tonë të përbashkët”, tha kryetari Hamza në konference për media.
Hamza në këtë konferencë ka folur për sa i përket situatës me RTK, ku sipas tij ka zgjidhje ligjore dhe financiare për pagat për punëtoret e RTK-së, por sipas tij mungon vetëm vullneti institucional.
“Më vjen keq kjo që ka ndodhur. Unë kam shërbyer në Ministrinë e Financave tetë vite, sikur mos të kishte pasur zgjidhje ligjore edhe mundësi financiare me ju bërë zgjidhje punëtorëve të RTK-së, sigurisht që jam i gatshëm me marrë përgjegjësinë edhe si PDK edhe si kryetar i PDK-së. Zgjidhja ligjore ekziston, jemi në fundin e vitit, 5 për qind e totalit të ndarjeve buxhetore në fundvit mund me u marrë aty ku ka teprica edhe me u ridestinu dhe me u dërgua aty ku ka nevoja. Prandaj është mirë me ekzistu vullneti, juristat e bëjnë zgjidhjen sepse zgjidhja është brenda ligjit dhe me u bë transferimi i mjeteve i cili mundëson pagesën e pagave për të punësuarit në RTK”, tha Hamza./Ekonomia Online

