Abdixhiku pas marrëveshjes: Falënderoj Kurtin e VV-në për konstruktivitetin – ishte sfiduese

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për konstruktivitetin gjatë bisedimeve që çuan në marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pas takimit me Kurtin në Kuvend, ku palët u dakorduan që kandidati për president të jetë profesori universitar, Bekim Sejdiu, Abdixhiku tha se negociatat kanë qenë sfiduese, por se palët kanë arritur një marrëveshje që, sipas tij, është në interes të vendit.
“Dua në veçanti të falënderoj të gjitha ekipet tona diskutuese. Dua të falënderoj zotëri Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për konstruktivitetin e mbajtur gjatë këtyre bisedimeve. Ka qenë sfiduese për të dy palët, por kemi bërë një punë të mbarë për Republikën tonë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se marrëveshja e arritur është e dobishme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Kemi arritur një marrëveshje të dobishme për vendin, e me vlerë për qytetarët e Kosovës”, shtoi kreu i LDK-së.
Marrëveshja mes Kurtit dhe Abdixhikut parasheh mbështetjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



