Mbi 47 mijë tonë misër nga Serbia në Kosovë për 9 muaj – AUV asgjëson mbi 5.5 tonë për shkak të aflatoksinës

Kosova ka importuar gjithsej 47,078 tonë misër nga Serbia gjatë periudhës janar–shtator 2026, sipas të dhënave të importit.
Të dhënat doganore tregojnë se pjesa dërrmuese e kësaj sasie përbëhet nga misri i zakonshëm, me rreth 46,701 tonë, ndërsa 376.5 tonë janë misër për farë, përkatësisht hibride të thjeshta, shkruan ORAinfo.
Importi i madh nga Serbia merr vëmendje të veçantë pas rastit të fundit të raportuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin, si dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalim të kufijve të lejuar të aflatoksinës B1, .
Asgjësimi është realizuar më 29 tetor 2026 në tri subjekte ekonomike. Në Fushë Kosovë, në kompaninë Agro Com Sh.P.K., janë asgjësuar 3,270 kilogramë misër, në Thermo-1 Sh.P.K., në Prugoc të Prishtinës, 1,040 kilogramë, ndërsa në NTP “Te Hysi”, në Shtime, janë asgjësuar 1,250 kilogramë.
Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.
AUV ka paralajmëruar se rreziku mund të bartet edhe në zinxhirin ushqimor, pasi toksina nga ushqimi i kontaminuar për kafshë mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht.
Agjencia u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër që tejkalon kufijtë e lejuar të aflatoksinës.
Megjithatë, AUV nuk ka bërë të ditur se e gjithë sasia e importuar nga Serbia është e kontaminuar. Rasti i fundit ka të bëjë me 5.56 tonë misër, për të cilin analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalim të kufijve të lejuar. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



