ANALIZË: Partitë bëjnë thirrje për pjesëmarrje kurse qytetarët në apati, çfarë mesazhi u dërguan politikanëve më shumë se 53 mijë votues
Në pritje të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, ekspertët thonë se nuk përjashtohet mundësia që pjesëmarrja të jetë edhe më e ulët se në rrethin e parë. Një fenomen tjetër në zgjedhje janë edhe fletëvotimet e pavlefshme, madje 53.713 fletëvotime të pavlefshme, që është një numër votash më i madh se […]

Në pritje të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, ekspertët thonë se nuk përjashtohet mundësia që pjesëmarrja të jetë edhe më e ulët se në rrethin e parë. Një fenomen tjetër në zgjedhje janë edhe fletëvotimet e pavlefshme, madje 53.713 fletëvotime të pavlefshme, që është një numër votash më i madh se ai që e fituan disa prej partive. Në këto zgjedhje, numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte tre herë më i lartë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021, shkruan analiza javore e Portalb.mk.
Pritshmëritë: Pjesëmarrje më e dobët në elektoratin maqedonas, pa ndryshime në atë shqiptar – politikanët kërkojnë mbështetje…
Në katër komuna, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, duke përfshirë për herë të parë edhe një komunë më të madhe, Gostivarin, nuk u arrit pragu minimal i pjesëmarrjes në votime prej 33,3% për të pasur një ditë të suksesshme zgjedhore. Pjesëmarrja në votime në nivel shtetëror. Rezultatet e zgjedhjeve nga rrethi i parë i zgjedhjeve lokale të vitit 2025 fshehin dy fenomene – pjesëmarrjen historikisht të ulët në zgjedhje dhe një numër të madh fletëvotimesh të pavlefshme. Sipas KSHZ-së, çdo fletëvotim i 16-të ishte i pavlefshëm, dhe vetëm në Qytetin e Shkupit u regjistruan pothuajse 12.300 fletëvotime të pavlefshme.
“Kemi një pjesëmarrje rekord të ulët, për herë të parë është nën 50%, kurse një moment i dytë i rëndësishëm për rrethi e parë që e konfirmon zhgënjimin e elektoratit, janë mbi 53.000 fletëvotime të pavlefshme. Mendoj se ekziston edhe një fenomen tjetër, e ai është se për herë të parë midis maqedonasve etnikë u vu re pjesëmarrje më e ulët në votime krahasuar me jehonën e shqiptarëve etnikë. Ekzistojnë disa arsye për trendet e këtilla – së pari, beteja zgjedhore në bllokun shqiptar ishte relativisht më interesante dhe më dinamike, për dallim nga ajo në bllokun maqedonas. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e ulët dhe fletëvotimet e pavlefshme tregojnë se qytetarët janë të ngopur me zgjedhjet që i kemi pasur pa ndërprerje për më shumë se një dekadë. Pastaj, këtu është edhe mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve dhe partive politike”, thotë për Portalb, Xhelal Hoxhiç, kryetar i SDA-së.
Partitë politike, kandidatët e të cilave do të garojnë në rrethin e dytë, tashmë u bëjnë thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë.
“LSDM-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që votuan për kandidatë të tjerë që nuk kaluan në rrethin e dytë, të mbështesin kandidatët tanë. Këta janë njerëz që do të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve, që u shërbejnë mbi të gjitha qytetarëve, interesave dhe kërkesave të tyre”, thonë nga LSDM-ja opozitare.
Në pritje të rrethit të dytë, tashmë kanë filluar negociatat ndërpartiake se kush kujt do t’ia “japë” votat e fituara në rrethin e parë për kandidatin në rrethin e dytë. Pavarësisht kësaj “pragmatike” të zakonshme në vend, kjo nuk do të thotë se qytetarët do t’i dëgjojnë zërat e politikanëve, veçanërisht pasi më shumë se gjysma e votuesve qëndruan në shtëpi në rrethin e parë.
“Është e qartë se ka apati, është një fenomen shumë negativ për demokracinë në përgjithësi, por arsyet duhen analizuar. Pres që në rrethin e dytë të ketë një pjesëmarrje edhe më të ulët, një numër më të vogël kandidatësh, numër më të vogël komunash. Qytetarët dërguan një mesazh se nuk u besojnë politikanëve dhe se nuk besojnë se vota e tyre do të ndryshojë diçka” – thotë Hoxhiç.
Portalb.mk e hapi temën e pjesëmarrjes në votime dhe rëndësinë e saj për legjitimitetin e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të ardhshëm që para rrethit të parë të votimit. Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, pjesëmarrja në votime ishte 50,57% me vetëm 19.127 fletëvotime të pavlefshme, që është pothuajse 3 herë më pak se numri i fletëvotimeve të pavlefshme në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, pjesëmarrja në votime ishte 50,69% me vetëm 2.069 fletëvotime të pavlefshme. Historikisht, këto janë zgjedhjet e para në të cilat pjesëmarrja e votuesve ishte më e ulët se 50%.
Sipas Kodit Zgjedhor, kërkohet një prag prej 33,3% që rrethi i parë të jetë i suksesshëm, por nuk ka një prag minimal për rrethin e dytë, që do të thotë se komunat do të fitojnë kryetar komune pavarësisht nga numri i qytetarëve që do të dalin për të hedhur votën e tyre.
- LEXO: Zgjedhje të reja për kryetar komune do të mbahen në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendër Zhupë
- LEXO: Zgjedhjet lokale 2025: Gjithnjë e më pak votues, gjithnjë e më shumë fletëvotime të pavlefshme
- LEXO: U mbajt rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 në RMV, gjithçka që ndodhi
