Anketa më e re: Si është rejtingu i partive politike dhe liderëve në Maqedoninë e Veriut?

Anketa më e re: Si është rejtingu i partive politike dhe liderëve në Maqedoninë e Veriut?

VMRO-DPMNE ka epërsi të madhe ndaj LSDM-së në rejtingun partiak, ndërsa kryetari i saj, Hristijan Mickoski, gëzon besim dukshëm më të lartë se lideri i LSDM-së, Venko Filipçe. Këto janë rezultatet e anketës së fundit të MKD.mk, të realizuar nga agjencia “Market Vision” gjatë periudhës 11–27 shtator, me një mostër prej 1.200 të anketuarish, transmeton Zhurnal.mk.

Në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, 19,3 për qind e të anketuarve janë deklaruar në favor të VMRO-DPMNE-së, ndërsa 5,6 për qind kanë zgjedhur LSDM-në.

BDI-ja dhe VLEN kanë rejting të barabartë, me nga 4,2 për qind të mbështetjes

Ndërkohë, 41 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të dalin për të votuar, nuk e dinë nëse do të marrin pjesë në zgjedhje ose nuk dëshirojnë të përgjigjen në këtë pyetje.

Ndër të anketuarit që kanë shprehur preferencën e tyre partiake, 4 për qind kanë deklaruar se do të votonin për Levicën, ndërsa 1 për qind për ZNAM-in.

Mickoski gëzon besim dukshëm më të lartë se Filipçe

Dallimi mes dy partive kryesore reflektohet edhe në rezultatet për liderët e tyre. Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, gëzon besimin e 20,4 për qind të të anketuarve, ndërsa Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së, ka mbështetjen e 3,8 për qind.

Sipas anketës, 44,1 për qind e të anketuarve nuk kanë besim te asnjë lider i partive politike, ndërsa 12,5 për qind nuk kanë dashur të përgjigjen.

Sa u përket liderëve të tjerë, Ali Ahmeti gëzon besimin e 3,7 për qind të të anketuarve, Dimitar Apasiev i 3,4 për qind, ndërsa Izet Mexhiti i 2,6 për qind.

Anketa tregon gjithashtu se liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, kanë epërsi ndaj liderit të BDI-së, e cila aktualisht është në opozitë.

Epërsi e ngjashme edhe në anketën e qershorit

Edhe anketa e realizuar në qershor kishte treguar epërsi të theksuar të VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit ndaj LSDM-së opozitare dhe liderit të saj, Venko Filipçe.

Hulumtimi i fundit është realizuar përmes metodës CATI, përkatësisht anketimit telefonik, me një mostër prej 1.200 të anketuarish. Gabimi statistikor është 3 për qind, ndërsa intervali i besimit 95 për qind.

Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë së Veriut dhe përfshin përfaqësim sipas rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, në përputhje me të dhënat për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021.

Burimi: MKD.mk përcjell Zhurnal.mk .


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.