Arben A. Bislimi: Kanceri kërkon sistem jo vetëm mjekë të përkushtuar, prandaj duhen politika afatgjata dhe bashkëpunim rajonal
Tetori është muaji kur bota flet me një zë për shëndetin, për guximin dhe për betejat e heshtura që zhvillohen çdo ditë nëpër spitale e shtëpi. Është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, periudha kur kujtojmë se diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe se pas çdo beteje me këtë sëmundje qëndrojnë njerëz […]

Tetori është muaji kur bota flet me një zë për shëndetin, për guximin dhe për betejat e heshtura që zhvillohen çdo ditë nëpër spitale e shtëpi. Është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, periudha kur kujtojmë se diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe se pas çdo beteje me këtë sëmundje qëndrojnë njerëz me histori, me frikë, por edhe me shpresë. Në këtë frymë, Portalb.mk, bisedoi me doktorin Arben A. Bislimin, onkolog dhe kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, një prej zërave më aktivë në fushën e shëndetit publik dhe trajtimit të pacientëve me kancer. Ai foli për përvojën e tij profesionale, sfidat e sistemit shëndetësor, nevojën për diagnostikim të hershëm dhe për rëndësinë që ka mbështetja emocionale në rrugën e shërimit. Kjo është një bisedë që na kujton se shëndeti nuk duhet të jetë temë vetëm në tetor por çdo ditë të vitit.
Portalb.mk: A mund të konsiderohet kanceri sot sëmundja e shekullit, apo dështimi i shëndetësisë për ta kapur në kohë kontribuon më shumë?
Arben A. Bislimi: Po, kanceri mund të quhet me të drejtë “sëmundja e shekullit”, sepse është bërë një nga sfidat më të mëdha të mjekësisë moderne. Por kjo nuk do të thotë se shëndetësia ka dështuar, përkundrazi, rritja e rasteve lidhet edhe me diagnostikimin më të mirë dhe jetëgjatësinë më të madhe të popullsisë.
Sot, sfidat kryesore mbeten zbulimi i vonshëm, mungesa e skriningut të organizuar dhe ndikimi i faktorëve të jetesës moderne. Megjithatë, falë zhvillimeve në imunoterapi dhe terapitë e targetuara, kanceri po kthehet gjithnjë e më shumë në një sëmundje kronike e menaxhueshme, kur zbulohet në kohë.
Portalb.mk: Sa shpesh humbasim jetë për shkak të vonesave burokratike dhe mungesës së kapaciteteve në klinikat tona?
Arben A. Bislimi: Fatkeqësisht, në shumë raste, vonesat burokratike dhe mungesa e kapaciteteve ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e trajtimit të pacientëve me kancer. Humbja e kohës në fazën diagnostike apo në nisjen e terapisë shpesh mund të kushtojë jetë. Në vendet me sisteme të konsoliduara, çdo ditë ka rëndësi, dhe këtë duhet ta bëjmë prioritet edhe në vendin tonë. Kjo kërkon bashkërendim më të mirë institucional, investim në pajisje moderne dhe rritje të kapaciteteve humane, që pacienti të mos presë, por të trajtohet në kohën e duhur.
Portalb.mk: Pse gratë duhet të presin muaj të tërë për termine për kontrolle, eko apo të tjera, kur dihet se është një sëmundje e cila zhvillohet shpejtë?
Arben A. Bislimi: Është e vërtetë që pritjet e gjata për kontrolle, sidomos për gratë, përbëjnë një problem serioz, sepse kanceri i gjirit mund të përparoj shpejt në faza më të avancuara. Kjo ndodh për shkak të mungesës së personelit të specializuar, numrit të kufizuar të aparaturave diagnostike dhe mungesës së një sistemi të organizuar skriningu. Zgjidhja nuk qëndron vetëm te rritja e numrit të terminit, por te organizimi i një programi kombëtar të skriningut dhe investimit në mjekë, pajisje e vetëdijesim të grave për kontrolle të rregullta. Nëse reagojmë në kohë, mund të shpëtojmë shumë jetë që sot humben vetëm për shkak të pritjes.
Portalb.mk: Sa ndikim ka mbështetja emocionale e familjes krahas trajtimit mjekësor dhe kimioterapisë në shërimin e pacientëve?
Arben A. Bislimi: Mbështetja emocionale e familjes ka ndikim shumë të madh, shpesh po aq të rëndësishëm sa vetë trajtimi mjekësor. Pacientët që ndihen të përkrahur emocionalisht kanë më shumë motivim, më pak stres dhe reagojnë më mirë ndaj terapise onkologjike. Kanceri nuk trajtohet vetëm me ilaçe, ai kërkon besim, qetësi shpirtërore dhe ndjenjën se pacienti nuk është vetëm. Familja është, në shumë raste, ilaçi më i heshtur, por më i fuqishëm që kemi në procesin e shërimit.
Portalb.mk: A ekziston rreziku që kanceri të bëhet biznes për kompanitë farmaceutike, në vend që të jetë prioritet shpëtimi i jetës?
Arben A. Bislimi: Është e vërtetë që kanceri përfaqëson një treg të madh ekonomik global, por kjo nuk duhet të zbehë faktin se përparimet shkencore kanë shpëtuar miliona jetë. Kompanitë farmaceutike janë pjesë e sistemit , dhe roli i institucioneve publike është të balancojnë interesin tregtar me nevojat humane. Suksesi qëndron te transparenca, qasja e barabartë në terapi dhe politika të mençura shëndetësore që garantojnë se jeta e pacientit mbetet gjithmonë prioritet mbi fitimin.
Portalb.mk: Cilat janë momentet më të paharrueshme kur pacientët ju tregojnë diçka para se të hyjnë në ambulantë?
Arben A. Bislimi: Ka shumë momente që mbeten në kujtesë. Shpesh pacientët para ndajnë fjalë të thjeshta, por me shumë peshë njerëzore, falënderime, lutje apo shpresa për një përgjigje të mirë. Më prekëse janë rastet kur, pavarësisht dhimbjes, ata shfaqin forcë, buzëqeshin dhe i japin kurajë edhe mjekut. Këto momente të kujtojnë se onkologjia nuk është vetëm shkencë, por edhe ndjenjë, humanitet dhe lidhje shpirtërore me pacientin.
Portalb.mk: A kanë vendet e rajonit kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar seriozisht kancerin, çfarë duhet të ndryshohet urgjentisht sipas jush në sistemin shëndetësor?
Arben A. Bislimi: Rajoni ka bërë përparime të dukshme, por kapacitetet ende nuk janë në nivelin e nevojshëm për trajtim bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës. Urgjentisht duhet të investohet në tri drejtime: Diagnozë të hershme dhe skrining kombëtar, rritje të numrit të onkologëve dhe infermierëve të trajnuar dhe qasje të barabartë në terapitë moderne për të gjithë pacientët. Kosova qëndron më mirë duke avansuar në trajtim sidmos në sherbimin e radioterapisë. Kanceri kërkon sistem, jo vetëm mjekë të përkushtuar, prandaj duhen politika afatgjata dhe bashkëpunim rajonal.
Portalb.mk: Sa shpëtimtar mund të jetë një ekzaminim i thjeshtë rutinë, dhe pse ende shumë njerëz e neglizhojnë atë?
Arben A. Bislimi: Një kontroll rutinë mund të jetë dallimi mes jetës dhe vdekjes, sepse shumica e kacereve janë të shërueshëm kur zbulohen herët. Fatkeqësisht, shumë njerëz ende e neglizhojnë, nga frika, mungesa e informacionit apo perceptimi se “nuk më ndodh mua”. Prandaj, duhet të flasim më shumë për parandalimin, jo vetëm për trajtimin. Një ekzaminim prej pak minutash mund të shpëtojë vite jetë.
Portalb.mk: Pse flitet me frikë ose turp për kancerin në vendin tonë, ndërsa në vende të tjera ka fushata të hapura sensibilizimi?
Arben A. Bislimi: Kjo ndodh sepse për shumë vite kanceri është parë si diçka e pashërueshme dhe stigmatizuese. Në shoqëritë tona të vogla, shpesh mungon informacioni dhe mbizotëron frika. Në fakt, duhet të flasim hapur për kancerin si për çdo sëmundje tjetër kronike. Vetëm përmes edukimit, fushatave të vazhdueshme dhe shembujve pozitivë mund të thyhet ky tabu dhe të kuptohet se zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Portalb.mk: Si mund të thyhet perceptimi se kanceri është “fund i jetës”, duke e treguar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe shërimit të mundshëm?
Arben A. Bislimi: Ky perceptim duhet të ndryshojë përmes informimit të drejtë dhe shembujve realë të pacientëve që kanë fituar betejën me kancerin.
Sot, falë trajtimeve moderne si imunoterapia dhe terapitë e targetuara, shumë lloje të kancerit trajtohen me sukses dhe pacientët jetojnë gjatë dhe me kualitet te jetes. Kanceri nuk është fundi, është një betejë që me diagnozë të hershme dhe përkujdesje të mirë mund të fitohet.
Portalb.mk: Cili është roli i familjes, komunitetit dhe edukimit shëndetësor në shkolla e universitete për mbështetjen dhe rehabilitimin e pacientëve me kancer?
Arben A. Bislimi: Pacienti ka nevojë për mbështetje emocionale, sociale dhe shpirtërore, jo vetëm për trajtim mjekësor. Komuniteti ndihmon për ta ulur stigmatizimin dhe për ta kthyer pacientin në jetën aktive, ndërsa edukimi shëndetësor në institucione arsimore është investim afatgjatë që krijon një shoqëri më të vetëdijshme dhe më humane. Nëse edukojmë gjeneratat e reja për rëndësinë e parandalimit dhe kujdesit ndaj shëndetit, do të kemi më pak frikë dhe më shumë jetë të shpëtuara.
Portalb.mk: Cili është rreziku më i madh që e kanos sot shëndetin publik: mungesa e aparaturës, e parave apo e ndërgjegjes?
Arben A. Bislimi: Të tria janë të rëndësishme, por mungesa e ndërgjegjes shëndetësore është rreziku më i madh. Teknologjia dhe fondet mund të sigurohen, por nëse njerëzit nuk kërkojnë ndihmë në kohë, nuk bëjnë kontrolle dhe nuk e vlerësojnë shëndetin, çdo sistem mbetet i pafuqishëm. Prandaj, duhet të investojmë jo vetëm në aparatura, por në ndërgjegjësim, edukim dhe kulturë shëndetësore.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që mendojnë se kanceri prek vetëm gjeneratat më të vjetra dhe si mund ta bëjmë kancerin një temë të përditshme sensibilizimi?
Arben A. Bislimi: Të rinjtë duhet ta dinë se kanceri nuk zgjedh moshë. Sot, për shkak të mënyrës së jetesës, stresit, ushqimit të përpunuar dhe ndotjes ambientale, rastet te të rinjtë po rriten gradualisht. Mesazhi im për ta është i qartë: kujdesuni për shëndetin tuaj tani, mos prisni shenja të sëmundjes. Parandalimi është forma më e mençur e trajtimit. Kancerin duhet ta bëjmë pjesë të bisedave të përditshme, pa frikë, përmes edukimit, mediave dhe shembujve frymëzues që tregojnë se çdo jetë e shpëtuar është fitore për të gjithë shoqërinë.
