Arifi për ftesën e Kurtit bërë LDK-së: Nuk është serioze, është lojë politike e tij
Analisti politik Dritëro Arifi për FrontOnline ka komentuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke e quajtur atë një manovër politike dhe jo një hap serioz për krijimin e një qeverie funksionale. Ai theksoi se koha e dërgimit të ftesës ishte shumë e vonuar dhe nuk reflektonte

Analisti politik Dritëro Arifi për FrontOnline ka komentuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke e quajtur atë një manovër politike dhe jo një hap serioz për krijimin e një qeverie funksionale.
Ai theksoi se koha e dërgimit të ftesës ishte shumë e vonuar dhe nuk reflektonte një angazhim të thellë për diskutimin e çështjeve të rëndësishme.
“Nuk e di se a mund të bëhet Qeveria me 15 prill, mundësitë gjithmonë janë. Po flas për nga koha, kur është dërguar kjo letër, kjo letër do të duhej të ishte me 10 shkurt, që të flistej më shumë për përmbajtjen, sepse ne nuk i dijmë se cilat janë prioritetet e VV-së me partitë shqiptare.”” tha Arifi.
Arifi kritikoi gjithashtu përmbajtjen e ftesës, duke e parë atë si një tentativë për të krijuar përshtypjen e një angazhimi të vërtetë për formimin e qeverisë, pa adresuar problemet që kërkojnë zgjidhje të thella.
“Kjo letër nënkupton që është vetëm sa me bërë Qeverinë, por jo për të diskutuar problemet e rëndësishme,” tha ai, duke e cilësuar këtë si një përpjekje që nuk ka seriozitet.
Arifi theksoi se ky hap i Kurtit është më shumë një “lojë politike” se një angazhim real. “Nuk shoh seriozitet, por është arsye e Kurtit që me thënë qe ne e provuam por ja që… më shumë është lojë politike se sa seriozitet,” u shpreh ai.