2 gola, 2 asistime dhe Kombëtarja! Milani ka një supertalent që po shpërthen

2 gola, 2 asistime dhe Kombëtarja! Milani ka një supertalent që po shpërthen

Zachary Athekame po zhvillon një fillim sezoni mjaft pozitiv te Lyon, ku po luan nën urdhrat e ish-trajnerit të Milanit, Paulo Fonseca.

Mbrojtësi 21-vjeçar është grumbulluar gjithashtu nga Kombëtarja e Zvicrës për ndeshjet e kësaj pauze ndërkombëtare në UEFA Nations League.

Athekame iu bashkua Lyonit gjatë afatit kalimtar të verës në formën e huazimit nga Milani. Marrëveshja nuk përfshin opsion apo detyrim blerjeje, çka tregon qartë se kuqezinjtë vazhdojnë të besojnë te potenciali i tij, përcjell ORAinfo.

Dy gola dhe dy asistime

Mbrojtësi ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Fonsecas në javët e para të sezonit, duke regjistruar dy gola dhe dy asistime në gjashtë ndeshje, të llogaritura mes Ligue 1 dhe eliminatoreve të Champions League.

Paraqitjet e tij kanë bërë që Athekame të fitojë shpejt një vend titullari, një zhvillim që po ndiqet me kënaqësi nga drejtuesit e Milanit.

Plani i klubit italian është që lojtari të rikthehet në Milanello më 1 korrik, pas një sezoni të plotë në një kampionat të nivelit të lartë. Synimi është që ai të jetë pjesë e rotacionit të skuadrës sezonin e ardhshëm.

“Jam lojtar i Milanit, dua të rikthehem”

Vetë Athekame nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Milano. Në një intervistë për RSI gjatë grumbullimit me Zvicrën, ai foli pozitivisht për periudhën e kaluar te kuqezinjtë.

“E vlerësoj pozitivisht sezonin tim të parë me Milanin. Më pëlqeu shumë, ishte një ligë e re dhe më taktike. Më pas pati ndryshim në stol. Fola me trajnerin e ri dhe vendosa të ndryshoj fanellën”, u shpreh ai.

“E shijova kohën time në Milano. Jam lojtar i Milanit. Tani jam te Lyon, por do të doja të rikthehesha.”

Fjalët e tij tregojnë se palët kanë të njëjtin synim: Athekame të vazhdojë zhvillimin në Francë dhe më pas të rikthehet në Milano për të luftuar për një vend në formacionin e kuqezinjve. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.