Avokati Jashari: Kushtetuta e Kosovës nuk po respektohet plotësisht

Avokati Arbër Jashari ka komentuar në përvjetorin e 17-të të Kushtetutës së Kosovës respektimin e saj. Ai ka deklaruar se, megjithëse Kushtetuta ende nuk po respektohet plotësisht, ekziston një mekanizëm i fuqishëm për garantimin e respektimit të saj, siç është Gjykata Kushtetuese. ‘’Kushtetuta nuk është duke u respektuar në masën që ne do të dëshironim

Avokati Jashari: Kushtetuta e Kosovës nuk po respektohet plotësisht


Avokati Arbër Jashari ka komentuar në përvjetorin e 17-të të Kushtetutës së Kosovës respektimin e saj.

Ai ka deklaruar se, megjithëse Kushtetuta ende nuk po respektohet plotësisht, ekziston një mekanizëm i fuqishëm për garantimin e respektimit të saj, siç është Gjykata Kushtetuese.

‘’Kushtetuta nuk është duke u respektuar në masën që ne do të dëshironim, ne kemi një gjykatë kushtetuese e cila është shumë funksionale dhe ka treguar që është gardian i vërtetë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ndaj gjithë atyre të cilët me ose pa vetëdije tentojnë që të shkelin  apo të veprojnë kundër parimeve t cilat I ka Kushtetuta jonë’’, tha Jashari për FrontOnline.

Ai vuri në dukje se kjo gjykatë ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e parimeve të Kushtetutës.

‘’Të tilla raste kemi pasur shumë gjatë qeverisjes katër vjeçare të këtij pushteti ku gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje në disa nisma ligjore të cilat kanë konsideruar se mund të bien ndesh me liritë dhe të drejtat themelore te njeriut ose parimin e ndarjes së pushteteve’’, thotë avokati Jashari.

Jashari gjithashtu vlerësoi se, në aspektin territorial, Kushtetuta respektohet në shumicën e territorit të Kosovës.

‘’ Gjykuar në aspektin territorial mendoj që tashmë është ndërtuar një klimë me e favorshme sepse mund të themi që Kushtetuta në aspektin territorial respektohet pothuajse në gjithë shtetin e Kosovës  por ka qenë ekzekutivi apo thjesht kuvendi I kaluar që me disa nisma ka mundur të cenojë Kushtetuese’’, deklaroi Jashari.

Sipas Jasharit, respektimi i Kushtetutës është një detyrim ligjor për të gjithë, dhe mekanizmat për mbrojtjen e saj janë në duar të Gjykatës Kushtetuese.

‘’Ka pasur nisma dhe ligje të cilat gjykata Kushtetuese I ka rrënuar, të gjitha masat dhe mekanizmat janë në Duart e gjykatës kushtetuese, natyrisht që obligimin për respektimin e kushtetutës përpos obligim ligjor është përtej asaj askush nuk duhet të ndërmarre veprime që bijnë ndesh as kryeministri as pozita as opozita e as qytetari’’, përfundoi Jashari.