Bajrami: Dita e Kushtetutës, reflektim i rrugëtimit drejt shtetësisë

Welcome to Kosova Today

9 Prilli është dita e dytë më e rëndësishme e shtetndërtimit të Kosovës, pas 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë. Kështu ka theksuar njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, profesor Arsim Bajrami, në 16 vjetorin e miratimit të saj. Ai ka thënë se Dita e Kushtetutës e ka një domethënie dhe një mesazh. “Në […]

Bajrami: Dita e Kushtetutës, reflektim i rrugëtimit drejt shtetësisë
bajrami:-dita-e-kushtetutes,-reflektim-i-rrugetimit-drejt-shtetesise

bajrami:-dita-e-kushtetutes,-reflektim-i-rrugetimit-drejt-shtetesise

9 Prilli është dita e dytë më e rëndësishme e shtetndërtimit të Kosovës, pas 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë. Kështu ka theksuar njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, profesor Arsim Bajrami, në 16 vjetorin e miratimit të saj.

Ai ka thënë se Dita e Kushtetutës e ka një domethënie dhe një mesazh.

“Në kohën kur është miratuar si festë shtetërore kam qenë ministër i Administratës Publike dhe kam qenë sponsorizues i Ligjit për festat shtetërore. Kam negociuar shumë për këtë festë dhe ajo ka ardhur si një zëvendësim i 28 Nëntorit të Ditës së Flamurit. Ideja ime ka qenë që kjo ditë praktikisht të jetë një reflektim i rrugëtimit të Kosovës drejt shtetësisë dhe pavarësisë, apo një ditë falënderimi për të gjithë martirët dhe kontribuuesit që ranë për idealin e shtetit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Bajrami, transmeton RTKlive.

Ai ka thënë se Dita e Kushtetutës përveçse është një ditë reflektimi për rolin e këtij akti më të lartë juridik, është edhe ditë kujtimi për rrugën e vështirë të shtetit të Kosovës, në mënyrë që gjeneratat e reja të lindura pas çlirimit të kuptojnë se në çfarë rruge dhe sakrifice gjithëkombëtare është kaluar për të ardhur deri te dita e pavarësisë dhe dita e kushtetutës.

Ai periudhën 16-vjeçare të Kushtetutës e ka vlerësuar si mjaft të suksesshme, por edhe me shumë sfida. “Lindja e shtetit të Kosovës ka qenë një moment jo vetëm për shqiptarët por ka qenë një ngjarje botërore, sepse ka lindur një shtet pas një sakrifice të një populli dhe pas një gjenocidi. Në atë kohë është përshëndetur nga e gjithë bota demokratike sepse u panë përpjekjet e Serbisë për të shkatërruar shqiptarët si komb, për të djegur Kosovën dhe për të rrëzuar motivin për të jetuar në Kosovë. Por përnjëherë një popull në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe NATO-n arriti të rimëkëmbet dhe të shpallë Kushtetutën e Kosovës. Kjo Kushtetutë e ka ruajtur rolin e saj shtetformuese apo shtet krijues. E ka atë epitet dhe ka mundësuar pastaj ndërtimin e strukturës së plotë shtetërore”, ka shtuar Bajrami.

Megjithatë, ai ka thënë se duhet të jemi edhe vetëkritik dhe ta shohim realitetin, pasi gjatë kësaj periudhe janë bërë jo pak shkelje të Kushtetutës.

“I kemi pasur tri sfida kryesore të Kushtetutës në këto 16 vjet. Pa dyshim sfida e parë ka qenë shtrirja e saj në veriun e Kosovës, apo shtrirja e sovranitetit të plotë të Kosovës në veri dhe fatkeqësisht akoma edhe sot e kësaj dite nuk kemi struktura funksionale në bazën e kësaj Kushtetute. Sfidë e dytë kanë qenë shkeljet e Kushtetutës. Si një shtet i ri jemi ballafaquar me shkelje serioze të Kushtetutës nga të gjitha institucionet shtetërore. Fillimisht parlamenti ka miratuar shumë ligje kundërkushtetuese. Pastaj kemi dy presidentë janë larguar për shkelje të natyrave të ndryshme të Kushtetutës. Kemi pasur kriza politike, vonesa në formimin e institucioneve, rrëzimet e qeverisë etj. Pra, kemi pasur mjaft situata konfliktuoze që kanë treguar që akoma na duhet për të punuar dhe për të ngritur kulturën kushtetuese dhe juridike dhe për t’i demokratizuar institucionet në mënyrë që ato të emancipohen se çfarë roli ka kushtetuta dhe ta kuptojnë në fund të ditës se demokracia është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe procedurave që ajo parashikon”, ka nënvizuar Bajrami ne RTK.

Ai tutje ka thënë se mungon një edukim i partive politike, por edhe i institucioneve, ngase shumë deputetë e zyrtarë institucional nuk kanë një përvojë shtetformuese dhe kjo sipas tij pastaja e zbeh besimin e popullit te organet shtetërore.

Tutje për kritikat dhe pakënaqësitë ndaj Gjykatës Kushtetuese nga institucionet dhe politikanët, profesori Bajrami ka thënë se ato ndikojnë në pasqyrën e shtetit tonë karshi BE-së dhe partnerëve tanë.

“…sepse në një vend ku sulmohet Gjykata Kushtetuese dhe ku kontestohen vendimet e saj, e ku Gjykata Kushtetuese bëhet objekt i përplasjeve, krijohet një përshtypje se ai është shtet nuk është i përgatit për anëtarësim në BE, akoma është në fazën tranzicionale apo që shumë e quajnë demokraci delikuente. Kjo vërtetë është një çështje brengosëse sepse jemi 16 vjet pas miratimit të Kushtetutës dhe pritjet kanë qenë që Kosova të arrijë standardet që kërkohen shumë më shpejtë”, ka theksuar Bajrami.

Tutje Bajrami ka thënë se përkundër sulmeve Gjykata Kushtetuese është një nga storiet më të suksesshme të shtetndërtimit të Kosovës.

“Kjo gjykatë jo vetëm që ka mbrojtur Kushtetutën e Kosovës nga shkeljet e ndryshme, por e ka mbrojtur edhe demokracinë, sovranitetin e popullit dhe pavarësinë sepse kjo në një mënyrë i ka treguar pushtetit se ai ka një detyrim ndaj popullit, e detyrimi është ta respektojë Kushtetutën. Me gjithë sulmet që i bëhen edhe sot e kësaj dite, kjo Gjykatë Kushtetuese sot ka një besim të plotë te populli i Kosovës dhe një reputacion te faktori ndërkombëtar, sepse ka pasur lëndë shumë të vështira. Nuk është lehtë për një Gjykatë Kushtetuese që dy vjet pas pavarësisë të rrëzojë dy presidentë. Nuk ka qenë lehtë të rrëzojë një qeveri në kohën e pandemisë apo të zgjidh probleme shumë të rënda”, ka thënë Bajrami.

Sisteme Online Programime
Programing Online