Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, vendimi i rëndësishëm të enjten

Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, vendimi i rëndësishëm të enjten
Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë thirrje për ndryshim në parti para mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, i thirrur nga kryetari Lumir Abdixhiku për të enjten, ku pritet të vendoset nëse ai do të vazhdojë ta udhëheqë partinë, mes kërkesave për largimin e tij.
Bajrami ka theksuar se të enjten LDK-ja “do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj”.
“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia jonë politike do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes njerëzve, por si një vendim për të ardhmen tonë të përbashkët. Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk do të vendoset se kush është me kryetarin aktual dhe kush kundër tij, as kush është me LVV-në e kush me PDK-në”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Sipas Bajramit, “Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”.
“Dhe këtu pyetja është shumë e thjeshtë: A jemi të kënaqur me gjendjen ku ndodhet LDK-ja sot? Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim”, tha ajo.
Ajo ka përmendur se që nga viti 2021, “LDK-ja ka kaluar nëpër tre palë zgjedhje dhe në të tria ka përfunduar si partia e tretë”.
“Nuk kemi shënuar fitore as në nivelin lokal. Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate”, ka theksuar ajo.
Bajrami ka shtuar se “kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”.
“Pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025, i kam kërkuar dorëheqjen kryetarit të partisë dhe në të njëjtën kohë, kam dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares. Pra, nuk kam kërkuar nga ai atë që nuk kam qenë e gatshme ta bëj vetë. Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit. Është pikërisht standardi mbi të cilin po ky kryetar ka ardhur në krye të LDK-së”, ka deklaruar ajo.
Me pak fjalë
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshime thelbësore në parti para Kuvendit të jashtëzakonshëm të enjten. Ajo ka theksuar se LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, duke iu referuar rezultateve negative në zgjedhjet e fundit dhe kërkesave për dorëheqjen e kryetarit aktual.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



