Bajrami kritikon Kurtin për raportin e H&P që e vendos Kosovën para ShBA-së e Japonisë
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, është treguar e ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke deklaruar për të se ka gjetur një organizatë të quajtur “Henley & Partners”, për të paraqitur Kosovën para Belgjikës, Francës, ShBA-së e Japonisë, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve. Bajrami thotë se indeksimi


Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, është treguar e ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke deklaruar për të se ka gjetur një organizatë të quajtur “Henley & Partners”, për të paraqitur Kosovën para Belgjikës, Francës, ShBA-së e Japonisë, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve.
Bajrami thotë se indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik, e sipas saj, edhe realitetin për të cilin thotë se Kurti nuk ka guxim të flasë.
“Albin ‘gjeniu’ e paska gjetur një organizatë ‘Henley & Partners’, e cila e ka renditur Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve. Po, në kohën në të cilën jetojmë, edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik”.
“Realiteti për të cilin Albin Kurti s’ka guximin me e nxjerrë asnjë gjysmë fjale, bile nuk guxon as në intervista me shku, përveç nëse moderatori është përfitues i fondeve të qeverisë”, tha Bajrami.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka radhitur një mori pikash, për të cilat mendon se Kurti dhe Qeveria që është duke e drejtuar nga 2021-ta i kanë shkaktuar dëme vendit në shumë sfera.
“Këtë vit, çmimi i energjisë elektrike për bizneset është rritur deri në 300%, si rezultat i politikave të Qeverisë ka lulëzuar mafia energjetike, gjatë mandatit të Qeverisë Kurti janë dhënë 3,000 tendera të negociuar, gjatë mandatit të Kurtit kanë ikur mbi 250,000 qytetarë nga vendi, shumica prej tyre me viza pune, dmth. punëtorë të kualifikuar, deficiti tregtar ka arritur në 5.4 miliardë euro (2024)”.
“Investimet kapitale janë ekstremisht të ulëta (deri më 1 shtator niveli qendror ka shpenzuar vetëm 198 milionë euro), inflacioni është 4.7% (shtator, 2025), normat e interesit janë ngritur tej mase, Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së që nga viti 2023, si dhe jemi të vetmit në rajon që nuk kemi qasje në fondet e ‘Planit të Rritjes’, dhe mbi të gjitha jemi vend pa Qeveri”, tha Bajrami.
Në fund, e njëjta e ftoi Kurtin që të përballet me të në një studio televizive për të argumentuar rreth situatës së ekonomisë në të cilën, thotë, e ka sjellë Kurti.
Bajrami hodhi dyshime edhe për reputacionin e organizatës, duke thënë: “S’po flas, lexoni vetë. Unë lexova ‘The Guardian’ çka shkruan”. /Klankosova.tv

