Bajrami pasi Qeveria ndau pagat për RTK-në: E gjetën zgjidhjen me 28 ditë vonesë
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve për pagat e punëtorëve të RTK-së si të vonuar dhe të inskenuar nga vetë ekzekutivi. Në një reagim në Facebook, Bajrami ka thënë se punëtorët e RTK-së u lanë pa paga për një muaj të


Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve për pagat e punëtorëve të RTK-së si të vonuar dhe të inskenuar nga vetë ekzekutivi.
Në një reagim në Facebook, Bajrami ka thënë se punëtorët e RTK-së u lanë pa paga për një muaj të tërë, duke i detyruar të hyjnë në protesta e greva, ndërsa në fund – sipas saj – Qeveria po paraqitet si shpëtimtare.
“I paskan nda mjetet për RTK. E kemi thënë prej ditës së parë: këta vetë janë prodhues të krizave. I lanë një muaj pa paga punëtorët e RTK-së, me protesta e greva, dhe në fund jo Kuvendi, por këta uzurpatorët e Qeverisë paskan gjetë zgjidhje, me 28 ditë vonesë”, shkroi Bajrami.
Ajo akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për, siç tha, krijim artificial të krizave me qëllim që të shfaqet më pas si shpëtimtar.
“Albin Kurti me klikën e tij jeton duke shkaktuar kriza, duke i bë njerëzit me vuajtë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e tij, e pastaj të dalin si shpëtimtarë, por ranë maskat”, ka shkruar ajo.
Bajrami kërkoi që Qeveria të ndërpresë, siç i quajti ajo, bllokadat dhe të gjejë zgjidhje edhe për Komunën e Prishtinës.
“Ndalni bllokadat, tash uluni me Komunën e Prishtinës dhe gjeni zgjidhje! Qytetarët paguajnë taksa për të marrë shërbime, jo për t’u maltretuar nga inskenimet e mashtrimet tuaja”, ka thënë Bajrami.
Në fund, ajo paralajmëroi se qytetarët do të japin përgjigje më 28 dhjetor.
“28 dhjetori do të jetë dita kur do të merrni përgjigjen për krejt këtë keqtrajtim që po u bëni qytetarëve”, ka shkruar Bajrami.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë ndau mbi 4 milionë euro për pagat e punëtorëve të RTK-së.

