BE kërkon stabilitet fiskal, Kosova shpjegon vonesën e buxhetit 2026
Kosova dhe Bashkimi Evropian zhvilluan më 25 nëntor në Bruksel takimin e shtatë të Nën-komitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe për Statistika, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në sektorët ekonomikë, fiskalë dhe statistikorë. Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe zyrtarë të Komisionit Evropian, të cilët


Kosova dhe Bashkimi Evropian zhvilluan më 25 nëntor në Bruksel takimin e shtatë të Nën-komitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe për Statistika, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në sektorët ekonomikë, fiskalë dhe statistikorë.
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe zyrtarë të Komisionit Evropian, të cilët shkëmbyen vlerësime për progresin dhe sfidat në politikat ekonomike, mjedisin e biznesit, buxhetin, statistikat dhe kontrollin e brendshëm financiar.
Në pjesën e politikave ekonomike dhe fiskale, Kosova prezantoi zhvillimet në rritjen ekonomike, inflacionin, tregun e punës dhe sektorin e jashtëm. Po ashtu, u diskutua edhe përgatitja e buxhetit për vitin 2026, i cili është vonuar për shkak të ngërçit politik në vend.
Bashkimi Evropian theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal, respektimit të kufijve të shpenzimeve dhe deficitit sipas rregullave fiskale, si dhe forcimit të investimeve që nxisin rritjen ekonomike. Diskutime pati edhe për zhvillimet e fundit në sektorin bankar, atë të sigurimeve dhe lëvizjen e lirë të kapitalit.
Takimi adresoi edhe reformat strukturore të nevojshme për rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike të Kosovës, duke përfshirë mjedisin e biznesit, energjinë dhe procesin e privatizimit. BE-ja vlerësoi progresin në zbatimin e ligjit të ri për Investimet e Qëndrueshme, përfshirë krijimin e Agjencisë për Investime dhe Eksport dhe Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve.
Përfaqësuesit diskutuan nxitjen e investimeve të huaja direkte, stabilitetin financiar, qeverisjen e Ndërmarrjeve Publike dhe zhvillimet legjislative që ndikojnë në sjelljen e investitorëve.
Një nga temat kryesore ishte nevoja për të forcuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës. BE-ja theksoi se statistikat cilësore dhe të besueshme janë baza e politikave të mira publike, duke kërkuar rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe financiare, sidomos për organizimin e Regjistrimit të Bujqësisë.
U kërkua përmirësim i qasjes së institucioneve kosovare në burimet administrative të të dhënave dhe përdorim më sistematik i tyre.
Në fushën e kontrollit të brendshëm financiar, diskutimet u fokusuan në rëndësinë e funksionimit të plotë të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, reformave të menaxhimit të financave publike, transparencës dhe rritjes së kapaciteteve të auditimit të brendshëm në institucionet shtetërore.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit shërben si platforma kryesore për vlerësimin e reformave të Kosovës dhe përafrimin me standardet e BE-së. Çdo takim i nën-komiteteve monitoron progresin, identifikon sfidat dhe përcakton veprime të mëtejshme që Kosova duhet të ndërmarrë.
Takimi i radhës do të synojë vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna dhe avancimin e agjendës reformuese në drejtim të integrimit evropian.

