Bedri Hamza zhvillon takime në Washington, premton forcim të aleancës strategjike me SHBA-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime në nivelet më të larta të administratës amerikane. Hamza ka njoftuar se në Washington është pritur nga Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime në nivelet më të larta të administratës amerikane.
Hamza ka njoftuar se në Washington është pritur nga Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe nga Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Në këto takime, palët kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, me fokus të veçantë te nevoja që institucionet kosovare të forcojnë marrëdhëniet strategjike me SHBA-në dhe të ndërtojnë një agjendë të qartë zhvillimi.
Hamza u ka garantuar zyrtarëve amerikanë se, për të dhe për PDK-në, interesi shtetëror është prioritet mbi çdo gjë – me theks në rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka deklaruar Hamza gjatë vizitës së tij në Washington.

