Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres së Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas njoftimit zyrtar, Balluku dyshohet për veprën penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në cilësinë e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. SPAK bëri të ditur se Balluku […] The post Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë appeared first on ATV.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres së Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku dyshohet për veprën penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në cilësinë e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK bëri të ditur se Balluku është njoftuar për akuzën më 31 tetor, ndërsa hetimet kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, konkretisht për seksionin rrugor Orikum-Himarë.
Kjo procedurë ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, sqaroi SPAK.
Zëvendëskryeministrja ishte njoftuar për hetimet më 21 tetor, ndërsa ishte ftuar që të paraqitej para SPAK-ut më 31 tetor në orën 15:00.
Pas daljes nga ndërtesa e SPAK-ut, Balluku u ndal shkurt para mediave, duke deklaruar:
“Si qytetare e Republikës dhe si një zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplot se do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj.”
Ajo nuk pranoi pyetje nga gazetarët.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u pyet për rastin e Ballukut, por zgjodhi të mos komentojë, duke thënë:
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast… deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykatat popullore, politike dhe mediat që i shërbejnë politikës.”
SPAK, që u krijua në dhjetor të vitit 2019, ka hetuar disa ish-zyrtarë të lartë, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta ndodhet në paraburgim, ndërsa Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të kaluar.
The post Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë appeared first on ATV.
