Çfarë ndodh nëse SHBA largohet edhe nga OKB?

Kur aleati i ngushtë i Donald Trump dhe drejtuesi i agjencisë për shkurtimin drastik të shpenzimeve qeveritare, Elon Musk, mbështeti kohët e fundit thirrjen që Shtetet e Bashkuara të largohen nga NATO dhe Kombet e Bashkuara, shumëkujt mund t’i jetë dukur befasuese. Por fakti është se muajt e parë të presidencës së dytë të Trump, […] The post Çfarë ndodh nëse SHBA largohet edhe nga OKB? appeared first on Albinfo.

Çfarë ndodh nëse SHBA largohet edhe nga OKB?

Kur aleati i ngushtë i Donald Trump dhe drejtuesi i agjencisë për shkurtimin drastik të shpenzimeve qeveritare, Elon Musk, mbështeti kohët e fundit thirrjen që Shtetet e Bashkuara të largohen nga NATO dhe Kombet e Bashkuara, shumëkujt mund t’i jetë dukur befasuese.

Por fakti është se muajt e parë të presidencës së dytë të Trump, kanë dëmtuar rëndë shtyllat kryesore të rendit ndërkombëtar aktual. Qasja e Musk i përshtatet një modeli të përgjithshëm.

Përveç animit drejt një rendi botëror shumëpolar, SHBA-ja refuzon të njohë Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e ka pakësuar ndihmën ndaj vendeve të tjera, dhe është tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe agjencia për ndihmën ndaj palestinzëve, UNRWA,përcjell albinfo.ch.

Teksa politika e brendshme të Trump po shfaq qartazi tipare autokratike, refuzimi i parimeve dhe idealeve themeluese të OKB-së ngjan si një zhvillim logjik. Qasja negociuese intolerante dhe e padurueshme që ai shfaqi me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, shpërfill dhe përbuz diplomacinë bashkëpunuese dhe të bazuar tek konsensusi.

Përpjekja për të ulur deficitin federal, përputhet me këtë braktisje të përgjithshme të angazhimeve të kushtueshme ndërkombëtare. Nëse regjimi Trump ndjek strategjinë e tij të dukshme të krijimit të krizave për të çuar përpara axhendën e tij, atëherë largimi i plotë i SHBA-së nga OKB-ja është një hap tjetër logjik.

E gjithë kjo që po ndodh, është në kontrast të plotë me rolin qendror që ka luajtur tradicionalisht OKB-ja brenda rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA që nga viti 1945. Së bashku me institucionet e tjera, OKB-ja e lejoi SHBA-në që të formësonte sistemin ndërkombëtar sipas imazhit të vet, dhe të përhapte vlerat dhe interesat e saj të brendshme në mbarë botën.

Së bashku me NATO-n, OKB-ja u krijua si një institucion global i sigurisë për të prodhuar stabilitet global. Të paktën në teori, vlerat politike dhe ekonomike të SHBA-së dhe demokracive të tjera, mundësuan ndërtimin e rendit të pasluftës.

Sipas politologut John Ikenberry, kjo bazohej tek “multilateralizmi, partneritetet e aleancës, kufizimi strategjik, siguria bashkëpunuese dhe marrëdhëniet institucionale dhe të bazuara në rregulla”. Por në këtë shekull, veprimet e SHBA-së kanë minuar shumë prej këtyre parimeve. Pushtimi i Irakut i udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, anashkaloi autoritetin e OKB-së, duke bërë që Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm Kofi Annan të deklaronte se “nga pikëpamja e statutit, pushtimi ishte i paligjshëm”. Ajo luftë e dëmtoi legjitimitetin e OKB-së dhe vendin e Amerikës brenda saj.

Po ashtu, e reduktoi peshën e organizatës si një forcë për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare dhe sovranitetit kombëtar në çështjet globale. Shkeljet e mëvonshme të të drejtave të njeriut nga SHBA përmes përdorimit të dorëzimit, torturës dhe ndalimit në vende si Gjiri i Guantanamos dhe Abu Ghraib, e dobësuan më tej besueshmërinë e OKB-së si një mbrojtëse e vlerave liberale ndërkombëtare.

SHBA-ja ka qenë një mospaguese e rregullt e tarifave të OKB-së, duke shmangur pagimin e 2.8 miliardë dollarëve në fillim të vitit 2025. Dhe është një nga kontribuuesit më të vegjël me personelit ushtarak dhe policor në operacionet paqeruajtëse të OKB-së, pavarësisht se paguan gati 27 për qind të buxhetit të përgjithshëm.

Që nga vitet 1990, disa politikanë republikanë kanë kërkuar që SHBA të tërhiqet plotësisht nga OKB-ja. Në vitin 1997, senatori Ron Paul prezantoi Aktin e Rivendosjes së Sovranitetit Amerikan, që synonte t’i jepte fund anëtarësimit në OKB, duke e dëbuar selinë e OKB-së nga Nju Jorku dhe dhënë fund financimit të SHBA-së.

Edhe pse mori një mbështetje minimale, dhe nuk arriti asnjëherë në seancat dëgjimore të komisionit, Paul e riktheu aktin në çdo seancë të kongresit, deri në daljen e tij në pension në vitin 2011. Më pas nisma u mor nga republikanë të tjerë, duke përfshirë Paul Broun dhe Mike Rogers.

Në dhjetorin e vitit 2023, senatori Mike Lee dhe kongresmeni Chip Roy, prezantuan nismën e shkëputjes së plotë nga OKB, përmes Aktit të Kombeve të Bashkuara (DEFUND).

Roy iu referua trajtimit sipas tij negativ të Izraelit, promovimit të Kinës “përhapjes së histerisë mbi ndryshimet klimatike”, dhe pagesës vjetore të SHBA-së në shumën 12.5 miliardë dollarë. Ndërsa Lee shtoi: ”Dollarët e amerikanëve të fituara me vështirësi, janë shpenzuar për nisma që bien ndesh me vlerat tona, duke favorizuar tiranëve, tradhtuar aleatët dhe përhapur fanatizmin”.

Sondazhet e vitit 2024, treguan se vetëm 52 për qind e amerikanëve kanë një pikëpamje pozitive për OKB-në. Edhe kjo opozitë ka rrënjë historike të thella. Në vitin 1920, izolacionistët amerikanë bllokuan ratifikimin e Traktatit të Versajës, dhe bashkë me të edhe pjesëmarrjen e SHBA-së në Lidhjen e Kombeve (paraardhësja e Kombeve të Bashkuara).

Ndonëse do të ndërvepronte me Lidhjen e Kombeve deri në formimin e OKB-së në vitin 1945, ajo nuk u bë asnjëherë një anëtare zyrtare. Kritika ndaj OKB-së ka pasur edhe një konsensus dypartiak, me tërheqjen e fondit të UNRWA-s nga SHBA në vitin 2024 gjatë presidencës së Joe Biden, pasi Izraeli e akuzoi agjencinë për lidhje me Hamasin.

Nëse Trump i shfrytëzon këto shtytje historike por edhe aktuale për ta tërhequr SHBA-në nga OKB-ja, kjo do të minonte rrënjësisht, dhe më shumë gjasa në mënyrë të pakthyeshme, atë që ka qenë shtylla qendrore e rendit ndërkombëtar aktual.

Po ashtu, kjo do të forconte izolimin e SHBA-së, do të pakësonte ndikimin perëndimor nëpër botë, dhe do të legjitimonte organet alternative të sigurisë. Këtu përfshihet Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, së cilës Shtetet e Bashkuara mund t’i bashkohen, veçanërisht duke pasur parasysh se anëtare janë edhe Rusia dhe India.

Më në përgjithësi, dobësimi i ndikimit të OKB-së do të rrezikonte paqen dhe sigurinë e përgjithshme në sferën ndërkombëtare, si dhe mbrojtjen dhe promovimin më të gjerë të të drejtave të njeriut. Do të kishte një paparashikueshmëri më të madhe mbi çështjet globale, dhe bota do të ishte një vend më i rrezikshëm.

Për vendet e mëdha dhe të vogla, një OKB pa SHBA-në, do të impononte bërjen e llogaritje të reja strategjike dhe krijonte aleanca dhe blloqe të reja, ndërsa bota shkon drejt së panjohurës/Asia Times

 

 

The post Çfarë ndodh nëse SHBA largohet edhe nga OKB? appeared first on Albinfo.