Në cilat qytete zvicerane tarifat e parkimit janë më të larta dhe më të ulëta?

Në cilat qytete zvicerane tarifat e parkimit janë më të larta dhe më të ulëta?

Siç e di kushdo që drejton makinë, tarifat e parkimit në Zvicër nuk janë të lira. Një platformë për rezervimin e udhëtimeve u mundëson shoferëve të krahasojnë kostot e parkimit në dhjetëra qytete zvicerane.

Sipas platformës HolidayCheck, në Zvicër, kostoja mesatare për orën e parë të parkimit është 2,40 franga, ndërsa qëndrimi për 24 orë kushton 36,22 franga.

Për krahasimin e tyre gjithëpërfshirës të çmimeve të parkimit për vitin 2026, faqja mblodhi dhe analizoi tarifat nga mbi 180 parkingje (garazhe dhe hapësira të hapura) në 20 qytete zvicerane, si dhe në më shumë se 30 destinacione të njohura turistike në mbarë vendin.

Ajo zbuloi se “dallimet janë të mëdha, duke filluar nga më pak se 1 frangë në orë e deri te tarifa ditore fikse mjaft të larta, madje edhe gjoba prej disa qindra frangash nëse humbisni biletën e parkimit.”

Ku janë më të larta tarifat e parkimit?

Berni është qyteti më i shtrenjtë për parkim afatshkurtër: kostoja mesatare për orë është 4,05 franga, ndërsa disa ambiente parkimi, si garazhi “Kursaal” ose zona e parkimit afatshkurtër të SBB-së pranë stacionit hekurudhor, aplikojnë tarifa që variojnë nga 4,40 deri në 4,70 franga, raporton HolidayCheck, transmeton albinfo.ch.

Pasojnë Lozana dhe Lucerni, me mesatare përkatësisht 3,55 dhe 3,52 franga.

Në Lucern, parkimi pranë stacionit hekurudhor (P1+P2) është opsioni më i shtrenjtë, me 5 franga për orë.

Në Gjenevë mesatarja është 3,30 franga, në Bazel 3,15, ndërsa në Cyrih 2,95 franga.

Megjithatë, tarifa më e lartë për orë, 7 franga, u gjet në parkimin “Centralbahn P1” në Bazel.

Cilat bashki zvicerane ofrojnë tarifat më të ulëta të parkimit?

Në kryeqendrën e kantonit Thurgau, Frauenfeld, kostoja mesatare është vetëm 0,74 franga për orë, çmimi më i lirë në vend. Tarifa pak më të larta, por gjithsesi shumë nën mesataren kombëtare prej 2,40 frangash në orë, mund të gjenden në Chur (1,60 franga), Davos (1,45) dhe Zug (1,55).

Sa kushton parkimi në destinacionet kryesore turistike të Zvicrës?

Nëse zgjidhni të udhëtoni me makinë drejt këtyre vendeve, në vend që të shkoni me tren, përgatituni (në disa destinacione) për tarifa të kripura nëse dëshironi të shijoni pamjet mahnitëse.

Më i shtrenjti ndër këto destinacione është parkingu kryesor në Oeschinensee (Bernese Oberland), ku tarifa fikse ditore është 52 franga.

Pas tij vijnë Grindelwald dhe rajoni i Jungfrau-së, ku lënia e makinës në një parking do t’ju kushtojë 25 franga në ditë.

Nga ana tjetër, destinacione të tjera të njohura ofrojnë tarifa ditore çuditërisht të arsyeshme: për shembull, 17 franga në Zermatt; 16 franga pranë ujëvarave Rheinfall; dhe 15 franga në Grindelwald.

The post Në cilat qytete zvicerane tarifat e parkimit janë më të larta dhe më të ulëta? appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.