Deponi mbeturinash vetëm 100 metra nga kopshti “Rrezja” në Orizare, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente (Video)

Vetëm njëqind metra larg kopshtit “Rrezja” në fshatin Orizare, të Komunës së Likovës, është krijuar një deponi mbeturinash nga qytetarët e pandërgjegjshëm, ndërsa qytetarë të tjerë u ankuan në redaksinë e Portalb.mk për situatën në terren, ata kërkojnë pastrimin e menjëhershëm të mbeturinave, pasi kjo situatë rrezikon shëndetin e fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve. Megjithatë, […]

Deponi mbeturinash vetëm 100 metra nga kopshti “Rrezja” në Orizare, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente (Video)
Deponi mbeturinash mbi fshatin Orizare, Komuna e Likovës. Foto nga Portalb.mk

Vetëm njëqind metra larg kopshtit “Rrezja” në fshatin Orizare, të Komunës së Likovës, është krijuar një deponi mbeturinash nga qytetarët e pandërgjegjshëm, ndërsa qytetarë të tjerë u ankuan në redaksinë e Portalb.mk për situatën në terren, ata kërkojnë pastrimin e menjëhershëm të mbeturinave, pasi kjo situatë rrezikon shëndetin e fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve. Megjithatë, autoritetet komunale nuk përgjigjen, shkruan Portalb.mk.

Pamjet shqetësuese kanë nxitur reagime të banorëve të Orizares, të cilët për Portalb.mk thonë se autoritetet lokale nuk po ndërmarrin asnjë masë. Madje, ata e akuzojnë edhe Ndërmarrjen Komunale Publike “Pisha” për hedhjen e mbeturinave.

Biseduam me Fisnik Jasharin, banor i fshatit Orizare, i cili për Portalb.mk tha se situata është alarmante, pasi kjo deponi ndodhet shumë pranë kopshtit të fëmijëve.

“Në cilësinë e banorit të fshatit Orizare, kërkoj që të trajtohet çështja e mbeturinave, që është krijuar nga komuna në territorin e fshatit tonë. Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se kjo deponi ndodhet shumë afër çerdhes së fëmijëve”, tha Jashari.

“Kjo rrugë ndodhet vetëm 100 metra larg nga kopshti “Rrezja”. Ky është një skandal i papranueshëm që rrezikon shëndetin e fëmijëve dhe të gjithë banorëve, institucionet përkatëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht dhe t’i largojnë ato”, tha një banor.

“Një deponi e mbyllin, një tjetër e hapin, kjo nuk është aspak normale. Mendoj se duhet të ketë ndëshkime kur i hedhin ato mbeturina, qofshin banorë apo ndërmarrja. Nuk është thjesht një problem i zakonshëm, por ato po dëmtojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve”, tha një banore.

Pyetëm Komunën e Likovës nëse janë në dijeni për grumbullimin e këtyre mbeturinave dhe kur planifikojnë t’i pastrojnë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Po ashtu, as nga Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” nuk morëm përgjigje.

Më 15 shtator, Ministria e Mjedisit kumtoi se deponia në Nikushtak është mbyllur zyrtarisht sepse nuk i plotëson standardet për mbeturina. Ky vendim erdhi pas protestave të banorëve, të cilët kundërshtuan hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarrja Komunale Publike “Pisha”. Pas vendimit, reagoi Komuna e Likovës duke e quajtur atë vendim si joligjor.

Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës.