Dimal Basha: Shpreh keqardhje që nuk gjeta mirëkuptim nga Çitaku dhe Shala në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit
Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit Dimal Basha, u mbajt sot mbledhja e parë e Kryesisë së Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë mbledhjes, Kryesia diskutoi mundësinë e funksionalizimit të komisioneve parlamentare, miratimin e buxhetit të RTK-së, buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, si dhe buxhetin
 
                                

Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit Dimal Basha, u mbajt sot mbledhja e parë e Kryesisë së Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjatë mbledhjes, Kryesia diskutoi mundësinë e funksionalizimit të komisioneve parlamentare, miratimin e buxhetit të RTK-së, buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, si dhe buxhetin vjetor për vitin 2026.
Kryetari Basha vlerësoi rëndësinë e themelimit të trupave punuese dhe adresimit të çështjeve që kërkojnë “vëmendje të përshpejtuar”, duke shtuar se miratimi i buxheteve dhe ligjit për buxhetin e vitit 2026 kërkon dakordim politik:
“Për adresimin e këtyre çështjeve është e nevojshme një dakordim politik për të funksionalizuar komisionet parlamentare si parakusht, dhe ky proces nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet,” tha Basha.
Nga ana e tyre, nënkryetarët Vlora Çitaku (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK) deklaruan se, sipas tyre, Kryesia dhe Kuvendi mund të trajtojnë vetëm çështjen e votimit për Qeverinë:
“Çdo veprim tjetër parlamentar bie ndesh me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor,” theksuan ata.
Pavarësisht përpjekjeve për konsensus, kryetari Basha shprehu keqardhje që nuk u arrit dakordimi:
“Në mungesë të dakordimit nuk mund të procedohet më tutje me pikat e rendit të ditës,” tha ai.
Mbledhja gjithashtu shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kryesisë.
 
                        
 
         
         
         
         
         
         
         
 
 
         
         
         
         
         
  