Disinfo paralajmërim: Delegjitimimi i protestave qytetare përmes narrativës së “revolucionit të ngjyrosur”

Dezinformimet vazhdojnë të përbëjnë një sfidë dominuese në Ballkanin Perëndimor: fushatat e dëmshme, të drejtuara ndaj ngjarjeve kyçe, synojnë të thellojnë ndarjet, të minojnë besimin ndaj institucioneve demokratike dhe të lëkundin mbështetjen për integrimin euroatlantik. Fondacioni Metamorphosis, si pjesë e projektit “Qendra Kundër Dezinformimit në Ballkanin Perëndimor”, ju paraqet botimin e njëmbëdhjetë mujor të “Radari […]

Disinfo paralajmërim: Delegjitimimi i protestave qytetare përmes narrativës së “revolucionit të ngjyrosur”
Disinfo Radar: Monitor and Warn. Foto: antidisinfo.net

Dezinformimet vazhdojnë të përbëjnë një sfidë dominuese në Ballkanin Perëndimor: fushatat e dëmshme, të drejtuara ndaj ngjarjeve kyçe, synojnë të thellojnë ndarjet, të minojnë besimin ndaj institucioneve demokratike dhe të lëkundin mbështetjen për integrimin euroatlantik. Fondacioni Metamorphosis, si pjesë e projektit “Qendra Kundër Dezinformimit në Ballkanin Perëndimor”, ju paraqet botimin e njëmbëdhjetë mujor të “Radari i Dezinformimit: Ndiq dhe Paralajmëro 11.0”, i cili është pjesë e sistemit të alarmit për të dhëna dhe paralajmërim të hershëm për kërcënimet nga dezinformimet, të bazuar në vëzhgimet e partnerëve të projektit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Vërtetmatësi.

Radari i Dezinformimit ofron paralajmërime të menjëhershme për ngjarje kritike të pritshme që mund të nxisin narrativa dezinformuese, duke u bazuar në analizën e vlerësimit të rrezikut të përftuar nga monitorimi i vazhdueshëm mediatik dhe nga përvoja e mëparshme me fushata të përsëritura dezinformimi.

Në botimin më të fundit të buletinit mujor “RADARI I DEZINFORMIMIT: Ndiq dhe Paralajmëro, nr. 11 (përgatitur në tetor 2025)”, përzgjidhen disa nga ngjarjet kyçe të pritshme që me shumë gjasë do të shfrytëzohen për përhapjen e dezinformatave në Ballkanin Perëndimor.

BALLKANI PERËNDIMOR: Pritet që narrativa dezinformuese për “revolucionin laraman” të përdoret për të diskredituar protestat dhe për të shmangur përgjegjësinë

Pas incidenteve tragjike si shembja e stacionit hekurudhor në Novi Sad, Serbi, dhe zjarri në klubin e natës në Koçan, Maqedoninë e Veriut, protestat qytetare që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi po delegjitimohen në mënyrë sistematike përmes narrativës dezinformuese të “revolucionit laraman”.

Mediet e lidhura me partitë politike në të dy vendet i paraqitën këto lëvizje si komplot të orkestruar nga Perëndimi, të drejtuar ndaj ndryshimit të regjimit, duke pasqyruar mesazhet shumëvjeçare ruse që e barazojnë aktivizmin qytetar me ndërhyrje të huaj. Duke i paraqitur studentët, organizatat joqeveritare dhe iniciativat rinore si agjentë të shërbimeve perëndimore të inteligjencës, narrativa e zhvendos vëmendjen nga problemet e vërteta të korrupsionit, përgjegjësisë dhe shpërbërjes institucionale, duke e kthyer pakënaqësinë e brendshme në një konflikt gjeopolitik.

SHQIPËRIA: Kërcënimet nga dezinformimet rreth zgjedhjeve të ardhshme lokale në Tiranë synojnë të minojnë agjendën e reformave të BE-së

Pritet që mjedisi informativ në Shqipëri të ndikohet nga zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen, veçanërisht në Tiranë, e cila rrezikon të bëhet një vatër e madhe për manipulim dhe dezinformim. Konfuzioni rreth aspekteve ligjore dhe procedurale të zgjedhjeve, që buron nga shkarkimi dhe gjykimi në vazhdim i ish-kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, si dhe roli ende i paqartë i Gjykatës Kushtetuese, tashmë kanë krijuar hapësirë për narrativa të rreme. Pritet që aktorët politikë konkurrues ta paraqesin procesin ose si një procedurë normale demokratike, ose si një manipulim antikushtetues.

BOSNJE DHE HERCEGOVINË: Pritet që presidenca ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxisë dezinformata rreth Marrëveshjes së Dejtonit, të cilat do të pengojnë integrimin në BE dhe NATO

Pritet që diskursi publik në Bosnje dhe Hercegovinë të ndikohet fuqishëm nga presidenca ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KSOKB), e cila tashmë ka rifilluar fushatat e manipulimit dhe dezinformimit përmes narrativave manipuluese lidhur me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit (MPD). Pritet që synimi i shpallur i Moskës për ta “rishikuar” MPD-në, i paraqitur si mbrojtje e të drejtave të serbëve në Republikën Sërpska, të shërbejë si instrument gjeopolitik për devijimin e kursit euroatlantik të Bosnjës dhe Hercegovinës.

KOSOVA: Pritet që bllokada e parlamentit të ndezë sërish manipulimin polarizues me informacione dhe dezinformata

Mjedisi informativ në Kosovë po përballet me një test kritik për rezistencën demokratike, pasi mosmarrëveshja rreth insistimit të Partisë Lista Serbe për të drejta ekskluzive për përfaqësim tashmë është shfrytëzuar nga aktorë politikë dhe mediatikë për të paraqitur Kosovën si një vend jo stabil, jodemokratik dhe të paaftë për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve. Pritet që mediat pro-serbe të forcojnë narrativat që paraqesin institucionet e Kosovës si diskriminuese dhe qeverinë e saj si armiqësore ndaj serbëve, ndërkohë që do të diskreditojnë ambiciet euroatlantike të Kosovës duke paraqitur partnerët perëndimorë si bashkëpunëtorë në “standarde të dyfishta”.

MALI I ZI: Debati për shtetësinë e dyfishtë pritet të jetë sfidë kryesore për dezinformatat lidhur me integrimin në BE

Diskursi publik në Mal të Zi për reformën e shtetësisë së dyfishtë është bërë një vatër e re për dezinformata dhe ndikime të huaja, duke përzier çështjet e identitetit kombëtar, integritetit zgjedhor dhe integrimit europian. Sistemi i propozuar i “kartës blu”, i mbështetur nga kryeministri Spajiç dhe partitë pro-serbe, synon t’u japë të drejta të gjera emigrantëve malazezë, duke lehtësuar praktikisht rrugën drejt shtetësisë së dyfishtë. Megjithëse është menduar si një masë për të forcuar lidhjet me diasporën, kritikët paralajmërojnë se kjo mund të ndryshojë balancën politike dhe demografike në Mal të Zi, duke i lejuar dhjetëra mijëra qytetarë serbë — vlerësimi është rreth 150,000 votues potencialë — të marrin pjesë në zgjedhjet malazeze.

MAQEDONIA E VERIUT: Pritet që diskursi zgjedhor të nxjerrë sërish në pah narrativat dezinformuese euroskeptike dhe ndikimin rus, duke thelluar ndarjet etnike.

Ndërsa Maqedonia e Veriut zhvillon zgjedhje lokale, monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale zbulon një ringjallje të narrativave për ndikimin rus, të përthyer në diskursin politik, fetar dhe kulturor. Këto narrativa ndërthuren me retorikën lokale euroskeptike, duke u përpjekur të minojnë besimin e qytetarëve në BE dhe të paraqesin Rusinë si alternativë morale dhe gjeopolitike. Partitë politike pro-ruse, si “Maqedonia e Bashkuar” dhe “Rodina”, pasqyrojnë narrativa që integrimin në BE e shohin si kërcënim për sovranitetin, ndërsa figurat fetare forcojnë ndikimin ideologjik të Moskës, siç ilustrohet nga pjesëmarrja e një ipeshkvi maqedonas në një liturgji të Moskës me lutje për fitoren e Rusisë në luftën në Ukrainë. Ndërkohë, gjestet simbolike të kryeministrit ndaj personave që promovojnë ndikimin kulturor rus nxorën në pah qëndrueshmërinë e kanaleve të fuqisë së butë, të cilat e komplikojnë orientimin pro-evropian të vendit.

SERBIA: Pritet që fushatat e manipulimit me informacione të përdoren si armë për të minuar besimin dhe për të legjitimuar masat represive.

Hapësira informative në Serbi ndodhet në një moment politikisht të ndjeshëm, pasi pritet që protestat për përvjetorin e rrënimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor të tërheqin vëmendje të gjerë publike, me rrezik të mundshëm për trazira. Grupet studentore vazhdojnë të protestojnë duke kërkuar përgjegjësi dhe reforma, ndërsa autoritetet reagojnë me rritje të pranisë policore. Ky kombinim krijon një impuls për narrativa manipuluese, veçanërisht nga mediat pro-qeveritare, të cilat synojnë diskreditimin e demonstruesve dhe ri-formulimin e mosmarrëveshjes qytetare si një kërcënim të orkestruar nga jashtë.

Radari i Dezinformimit: ndiq dhe paralajmëro është një botim mujor i projektit Qendra Kundër Dezinformimit në Ballkanin Perëndimor, pjesë e sistemit të alarmit për të dhëna dhe paralajmërim të hershëm për kërcënimet nga dezinformatat, i bazuar në vëzhgimet e partnerëve të projektit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Radari i Dezinformimit ofron paralajmërime të shpejta për ngjarje kritike të pritshme që mund të nxisin narrativa dezinformuese, duke u mbështetur në analizën e vlerësimit të rrezikut nga monitorimi i vazhdueshëm mediatik dhe nga përvoja e mëparshme me fushata të përsëritura dezinformimi.

Informacionet e siguruara nga Radari i Dezinformimit prezantohen në një format preciz dhe të lehtë për t’u lexuar dhe shpërndahen përmes qendrës së përmbajtjes antidisinfo.net, përmes buletineve elektronike, si dhe përmes rrjeteve më të përdorura sociale në rajon.

Lexoni më shumë në botimin më të fundit (#11) të buletinit mujor “Disinfo Radar: Watch and Warn”. 

Fondacioni Metamorphosis 

Vistinomër / Vërtetmatës

Agjencia e Lajmeve Meta.mk Portalb

Faktoje

Raskrinkavanje  Raskrinkavanje.me

Sbunker

Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri – ISAC