Sot në RMV votojnë të sëmurët dhe të burgosurit
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në vend do të mbahet nesër, ndërsa sot, të parët votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit dhe personat që ndodhen në azilet për pleq, njofton Portalb.mk. Në raundin e dytë të Zgjedhjeve lokale 2025, do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin […]

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në vend do të mbahet nesër, ndërsa sot, të parët votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit dhe personat që ndodhen në azilet për pleq, njofton Portalb.mk.
Në raundin e dytë të Zgjedhjeve lokale 2025, do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizarë për këshilltarë komunalë. Të drejtë vote kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), sot duhet të votojnë 4.826 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, kërkesat e të cilëve janë miratuar nga komisionet komunale zgjedhore. Po ashtu, sot votojnë edhe të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak nga komunat ku zhvillohet votimi për kryetar komune.
Fushata zgjedhore për raundin e dytë përfundoi mbrëmë në mesnatë dhe do të zgjasë deri nesër në orën 19:00, kur mbyllen vendvotimet.
Votimi nesër do të fillojë në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në 19:00.
Procesin zgjedhor do ta ndjekin 1.598 vëzhgues, prej tyre 933 të huaj dhe 651 ndërkombëtarë.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti rundin e parë të zgjedhjeve të teta lokale që nga pavarësia e shtetit. Në zgjedhjet lokale, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë, të cilët mund të votonin në 3.474 vendvotime. Nga ky numër, në votime dolën 885.085 qytetarë, ndërsa 831.361 fletëvotime u shpallën të vlefshme. Sipas njoftimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 48,30%.
