Edicioni i pestë i “Fiction Fest” në Prishtinë sjell shkrimtarë nga mbarë trojet, mes tyre edhe Bardhyl Zaimi nga Maqedonia
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon për herë të pestë Festivalin e Prozës Artistike “Fiction Fest”, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit letrar në Kosovë. Ky aktivitet do të mbahet, më 4 dhe 5 nëntor 2025, ku do të paraqiten shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe, shkruan Portalb.mk. Në […]

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon për herë të pestë Festivalin e Prozës Artistike “Fiction Fest”, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit letrar në Kosovë. Ky aktivitet do të mbahet, më 4 dhe 5 nëntor 2025, ku do të paraqiten shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe, shkruan Portalb.mk.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe Bardhyl Zaimi nga Maqedonia e Veriut, i cili do të prezantohet me krijimet e tij më të fundit, duke sjellë para publikut një zë të veçantë që ndërthur reflektimin filozofik me ndjeshmërinë poetike të njeriut modern.
Festivali nis në ora 18:00 në Restorant “Amaro” në Prishtinë, dhe do të sjellë dy mbrëmje letrare me biseda dhe lexime nga shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe bashkëkohore.
Në mbrëmjen e parë, më 4 nëntor, do të marrin pjesë Rita Petro, Mark Pashku, Bardhyl Zaimi, Suad Arilla dhe Shpresa Qeriqi.
Ndërsa në mbrëmjen e dytë, më 5 nëntor, publiku do të ketë mundësi të takojë Besnik Mustafajn, Sali Bashotën, Bardh Frangun, Shpëtim Selmanin dhe Dhurata Hotin.
Festivali, që çdo vit mbledh emra të njohur të letërsisë shqipe, synon të promovojë prozën si formë të thellë të shprehjes artistike dhe të krijojë një hapësirë dialogu mes autorëve dhe lexuesve. Në këtë edicion do të marrin pjesë shkrimtarë të njohur nga trevat shqiptare, me lexime, diskutime dhe promovime veprash letrare bashkëkohore.
“Fiction Fest” mbetet një platformë që i jep jetë fjalës së shkruar dhe nxit bashkëpunimin kulturor mes krijuesve nga mbarë hapësira shqiptare.
