Elvana ZAIMI-TUFA prezanton në Gjenevë antologjinë “Letra në nëntor”
Autorja dhe përkthyesja e njohur prezanton librin “Letra në nëntor”, një antologji poetike nga e gjithë bota. Salloni i Librit, Gjenevë, e shtunë 22 mars, në ora 16:00 The post Elvana ZAIMI-TUFA prezanton në Gjenevë antologjinë “Letra në nëntor” appeared first on Albinfo.

Elvana Zaimi-Tufa ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi në Fakultetin Filologjik të Tiranës. Ka gradën Doktor Shkencash në studime letrare, për punimin “Skicë për konceptimin e një shkolle gege të përkthimit”.
Ka dhënë mësim në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës gjatë viteve 2012-2019. Ka filluar të botojë përkthimet në fillim të viteve 2000 në revistat letrare shqiptare, brenda e jashtë kufijve.
Disa nga veprat e përkthyera prej saj, janë: “Ditë të qeta në Klishi” – Henry Miller, “Njolla në mur dhe tregime të tjera” – Virginia Woolf, “Dera dhe lamtumira” – Li-Young Lee, “E dashura ime Sputnik” – Haruki Murakami, “Mëngjes te Tifania” – Truman Capote, “Ferma e kafshëve” dhe “1984” – George Orwell, etj.
Përkthimet e saj të autorëve të ndryshëm në poezi dhe prozë përfshijnë: Thomas Pynchon, Gertrude Stein, Joseph Brodsky, Sylvia Plath, Anne Sexton, Louise Glück, Linda Pastan, etj.
Përkthimet e poezive të përfshira nën titullin “Letër në nëntor” përbëjnë një antologji personale të lirikës botërore, ku mbizotëron, kryesisht, me pak përjashtime, peizazhi modern i zërave dhe traditave poetike të shekujve XX-XXI.
Ideja e antologjisë është përftuar relativisht vonë, me zgjerimin e repertorit të teksteve të përkthyera përgjatë 25 viteve, derisa në një moment (gjithmonë vjen një moment i tillë), m’u dha dhe ideja e një filli lidhës që t’i mbante bashkë këto poezi në një kornizë konceptuale. Dhe, nëse do t’i vija, pak a shumë, një përcaktim kësaj kornize, atëherë, sipas bindjes sime një përcaktim i përshtatshëm do të ishte “Lirika metafizike”, që është një shkrirje e vizioneve ndjesore e botëkuptimore.
Rimarrja dhe rishikimi i këtyre përkthimeve të kryera përgjatë shumë vitesh, ripërjetimi me tekstin dhe frymën e origjinalit më ka bërë shpesh ta harroj këtë botë, për njëfarë shkalle, dhe t’i besoj ndjeshmërisë sime gjuhësore, të krijoj një botë të re, e cila do të jetë e varur nga ajo tjetra, e mëparshmja, nga origjinali, sikundërse kujtesa e një dite varet nga po një ditë e mëparshme. @salondulivregeneve #lizesbookstore #salondulivre
The post Elvana ZAIMI-TUFA prezanton në Gjenevë antologjinë “Letra në nëntor” appeared first on Albinfo.