Fëmijët sjellin “Ylberin” e muzikës në Shkup, nesër mbahet festivali që bashkon fëmijët nga trojet shqiptare

Të mërkurën më (29 tetor) në Teatrin Popullor Maqedonas në Shkup, me fillim nga ora 12:00, do të mbahet edicioni i 26-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi” një nga ngjarjet më të dashura dhe më jetëgjata kulturore për fëmijët në vend. Ky festival tradicional, që prej më shumë se dy dekadash mbledh zëra […]

Fëmijët sjellin “Ylberin” e muzikës në Shkup, nesër mbahet festivali që bashkon fëmijët nga trojet shqiptare
Afishja e festivalit “Ylberi”. Foto: Adem Ymeri

Të mërkurën më (29 tetor) në Teatrin Popullor Maqedonas në Shkup, me fillim nga ora 12:00, do të mbahet edicioni i 26-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi” një nga ngjarjet më të dashura dhe më jetëgjata kulturore për fëmijët në vend. Ky festival tradicional, që prej më shumë se dy dekadash mbledh zëra të rinj nga mbarë trevat shqiptare, do të sjellë sërish në skenë emocionin, energjinë dhe gëzimin e fëmijërisë përmes muzikës, shkruan Portalb.mk.

Adem Ymeri drejtor i festivalit për Portalb.mk tha se do të prezantohen 23 fëmijë nga të gjitha vendet shqipfolëse.

“Si çdo vit, edhe këtë vit festivali “Ylberi” ruan karakterin e tij tradicional, por me një përmbajtje tërësisht të re. Të gjitha këngët që do të interpretohen janë kompozuar rishtazi posaçërisht për këtë edicion, duke e bërë festivalin një platformë të gjallë për krijimtarinë e re muzikore për fëmijë. “Ylberi” mbetet një festival mbarëkombëtar, që bashkon fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare dhe edhe nga diaspora. Sivjet, në mesin e 23 pjesëmarrësve do të ketë një vajzë nga Suedia, si dhe këngëtarë të vegjël nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nga Shqipëria marrin pjesë fëmijë nga disa qytete Korça, Tirana dhe Elbasani, të cilët do të interpretojnë katër këngë të reja. Nga Kosova, në skenën e “Ylberit” do të ngjiten fëmijë nga Rahoveci dhe Prishtina, ndërsa pjesa tjetër e garuesve vjen nga Maqedonia e Veriut, kryesisht nga Shkupi, Struga dhe qytete të tjera të vendit. Ky përfaqësim i gjerë gjeografik i jep festivalit një frymëmarrje të veçantë dhe një ngjyrim kulturor të pasur, duke e bërë “Ylberin” një festë të bashkimit përmes muzikës, talentit dhe fëmijërisë”, tha Ymeri.

Festivali “Ylberi” mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV-së dhe disa përkrahës të tjerë.

Festivali “Ylberi” synon të kultivojë dashurinë për muzikën, artin dhe gjuhën shqipe, duke krijuar një hapësirë ku kreativiteti, gëzimi dhe kultura shqiptare ndërthuren në mënyrën më të bukur. Edicioni i sivjetshëm pritet të jetë një festë e madhe për fëmijët, prindërit dhe gjithë adhuruesit e artit të pastër e të sinqertë.

Fëmijët pjesëmarrës në festivalin “Ylberi”:

Fëmijët pjesëmarrës në festivalin “Ylberi”. Foto: Adem Ymeri
Fëmijët pjesëmarrës në festivalin “Ylberi”. Foto: Adem Ymeri
Fëmijët pjesëmarrës në festivalin “Ylberi”. Foto: Adem Ymeri
Fëmijët pjesëmarrës në festivalin “Ylberi”. Foto: Adem Ymeri