Filloi intervistimi i kandidatëve nga Maqedonia e Veriut për gjyqtarë në GJEDNJ

Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbajti sot mbledhjen e tretë, transmeton Portalb.mk. Në të u diskutuan pikat e mëposhtme të rendit të ditës: Informacion në lidhje me ankesat për konflikt të mundshëm interesi të paraqitura në Komisionin Shtetëror […]

Filloi intervistimi i kandidatëve nga Maqedonia e Veriut për gjyqtarë në GJEDNJ
Foto: Gjykata Kushtetuese

Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbajti sot mbledhjen e tretë, transmeton Portalb.mk.

Në të u diskutuan pikat e mëposhtme të rendit të ditës:

  • Informacion në lidhje me ankesat për konflikt të mundshëm interesi të paraqitura në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK);
  • Informacion në lidhje me dy ankesa të pranuara nga Komisioni;
  • Intervistat e kandidatëve të përzgjedhur dhe të tjera.

Kryetari i Komisionit, Darko Kostadinovski, informoi anëtarët për dy ankesat e paraqitura në KSHPK në lidhje me konfliktin e mundshëm të interesit midis kryetarit të Komisionit dhe njërit prej kandidatëve nga lista e përzgjedhur për intervista, për të cilat mësoi nga mediat, si dhe për dy ankesat e paraqitura në Komision.

Pas shpjegimit të argumenteve dhe fakteve në kuptimin se në këtë rast të veçantë nuk mund të bëhet fjalë për paragjykim ose konflikt të mundshëm interesi, propozimi për përjashtimin e kryetarit Kostadinovski nuk u pranua nga anëtarët e Komisionit.

Komisioni vendosi unanimisht që intervistat e planifikuara të zhvillohen gjatë ditës së sotme, dhe rezultatet e tyre do t’i dorëzohen Panelit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës, pasi KSHPK të vendosë për ankesat.

Me qëllim rritjen e transparencës dhe paanshmërisë në procedurë, Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për Gjykim të Drejtë” dhe Bojana Bozhinovska-Siljanovska nga “Shoqata Maqedonase e Prokurorëve të Rinj” u ftuan dhe morën pjesë në intervista.

Komisioni shqyrtoi edhe ankesat e pranuara, të cilave do t’u jepet përgjigje përkatëse.

Komisioni do të vazhdojë me intervistat gjatë ditës sipas dinamikës së planifikuar.

Kandidatët që intervistohen janë: Ola Ristova, Toni Menkinoski, Natasha Gaber, Jordan Apostolski, Aleksandar Dashteski, Ali Aliu, Ilir Iseni, Jelena Ristiq, Sasho Georgievski, Natasha Boshkova dhe Ana Dangova Hug.

Në Gazetën Zyrtare më 14 prill u publikua shpallja për përzgjedhjen e kandidatëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.

Mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit aktual të Maqedonisë së Veriut në GJEDNJ, Jovan Ilievski, do të përfundojë në shkurt të vitit 2026.