Gjykata e Apelit konfirmon dënimin me 11 vjet për njërin nga të akuzuarit për vr*asje në Lipjan
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Besnik Bedrolli është dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim, ndërsa Bajram Bedrolli është liruar nga akuza, lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në Lipjan. Në këtë rast, Besnik dhe Bajram Bedrolli

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Besnik Bedrolli është dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim, ndërsa Bajram Bedrolli është liruar nga akuza, lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në Lipjan.
Në këtë rast, Besnik dhe Bajram Bedrolli akuzoheshin se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U.D., raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore– DKR në Prishtinë, e të dëmtuarit A.D dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Bedrolli, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit. Sipas vendimit të Apelit të marrë më 28 shkurt 2025, thuhet se ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënimin, për çka ka kërkuar që të anulohet vendimi dhe çështja të kthehet në rivendosje. Ankesë kishte parashturar edhe i dëmtuari A.D., për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit Besnik Bedrolli t’i shqiptohet dënim më i lartë ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.Po ashtu, ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bedrolli, avokati Berat Tmava, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënimin, ashtu që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet nga akuza.
Sipas Apelit, pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit nuk qëndrojnë, ngase gjykata e shkallës së parë përveç që ka bërë ricilësim të veprës penale të “Vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje, në “Vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” për të akuzuarin Besnik, po ashtu ka dhënë arsye të mjaftueshme, që përbëjnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën është shpallur fajtor.
“…pastaj, pas vlerësimit të veprimeve konkrete të akuzuarit Bajram Bedrolli, ka përfunduar se nuk është vërtetuar se i akuzuari Bajram Bedrolli, ka vepruar në bashkëkryerje me të akuzuarin Besnik Bedrolli, për çka, edhe e ka liruar nga akuza e prokurorisë, kuptohet duke bërë këtë edhe për veprën tjetër penale të armëmbajtjes, pasi që nuk është vërtetuar se i akuzuari Bajram Bedrolli, ditën kritike të ketë përdorur armë zjarri, sikur që konstatohet në aktakuzën e prokurorisë”, thuhet në vendim.Gjithnjë sipas Apelit, pretendimet sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndrojnë, pasi që Themelorja ka vërtetuar faktet dhe rrethanat se ditën kritike pasi më parë ka ardhur deri tek konflikti verbal e më pastaj edhe fizik, në mes të tani të ndjerit U.D., dhe të akuzuarit Bajram Bedrolli.
“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, i drejtë dhe plotësisht i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj, është konkludimi i gjykatës së shkallës së parë, kur konstaton gjendjen faktike të përshkruar si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar”, thuhet në vendim.Aty thuhet se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, ku janë përshkruar të gjitha veprimet inkriminuese të akuzuarit Besnik Bedrolli, që përbëjnë elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
“Po ashtu, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar, përveç, që nuk është në kundërshtim me vetëveten, i njëjti është plotësisht në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin, ngase, faktet dhe rrethanat e përshkruara në dispozitiv gjejnë mbështetje, përveç, në deklaratat e dëshmitarit – të dëmtuarve E.Q., S.A. dhe A.S., por, edhe deklarata plotësuese e ekspertit të balistikës Ilir Kukaj, ku, është vërtetuar se në rastin konkret janë përdorur dy armë, njëra nga tani i ndjeri U. D. dhe njëra nga i akuzuari Besnik Bedrolli”, thuhet në vendim.
Apeli vërteton konkludimet e Themelores edhe për atë se në mënyrë të pakontestuar vërtetohet se i akuzuari tjetër Bajram Bedrolli nuk ka kryer veprën penale në bashkëkryerje me të akuzuarin Besnik Bedrolli, sikur që pretendon Prokuroria, për çka, edhe është vendosur si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.Ndërsa, lidhur me pretendimet sa i përket lartësisë së dënimit, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë, drejt dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit dhe atë konform dispozitave ligjore.
Kolegji i Apelit vlerësoi se dënimin të cilin e ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, është i drejtë dhe i ligjshëm, në harmoni me intesitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.
Ndryshe, herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “Vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Të njëjtit, Gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.
Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.“Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica.
Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj.
Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me vendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.Këtë vendim, Apeli e kishte marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Kurse, herën e tretë, më 8 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim dënues, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Besnik Bedrolli me 11 vjet burgim, ndërsa të akuzuarin Bajram Bedrolli e ka liruar nga akuza.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli ngarkoheshin se më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U.D.Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin D., dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, tani i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të D. katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkonte të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal.