Granit Xhaka e pranon se bëri një vërtetim fallco për Covid-19: Kisha frikë, nuk isha i sigurt

Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar publikisht lidhur me hetimet e autoriteteve zvicerane për një certifikatë të dyshuar të rreme të vaksinimit kundër COVID-19.
Prokuroria e Luzernit ka hapur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje, për të sqaruar nëse është kryer ndonjë vepër penale në lidhje me marrjen ose falsifikimin e një certifikate COVID. Hetimet janë ende në zhvillim dhe për Xhakën, sikurse edhe për mjeken, vlen prezumimi i pafajësisë, shkruan Indeksonline
Në reagimin e tij të fundit, Xhaka ka pranuar se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe frikë të mëdha ndaj vaksinës kundër COVID-19 dhe se, në vend që t’i sqaronte shqetësimet përmes rrugëve zyrtare, kishte siguruar një vërtetim vaksinimi.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht.
Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i përfshirë nga frika dhe pasiguria.
Në këtë gjendje emocionale të trazuar, bleva një vërtetim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet dhe shqetësimet e mia përmes rrugës së paraparë.
Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë.
Ishte një gabim. Më vjen keq.
Marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente.”
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



