Halloween-i në Zvicër mban policinë në gatishmëri: fishekzjarrë, zjarre dhe akte vandalizmi në disa kantone

Halloween-i në Zvicër mban policinë në gatishmëri: fishekzjarrë, zjarre dhe akte vandalizmi në disa kantone

Mbi 250 incidente janë raportuar gjatë natës së Halloween-it në disa kantone të Zvicrës. Djegia e kontejnerëve të mbeturinave, shpërthimi i kutive postare, hedhja e fishekzjarrëve dhe dëmtimi i pronës kanë angazhuar policinë dhe shërbimet emergjente.

Nata e Halloween-it, mes 31 tetorit dhe 1 nëntorit, ka qenë e ngarkuar për policinë në disa qytete dhe kantone zvicerane. Autoritetet raportuan dhjetëra ndërhyrje, ndërsa në disa raste u regjistruan dëme të konsiderueshme materiale dhe përplasje.

Aargau: Policia kantonale kishte shtuar praninë në terren dhe kreu kontrolle të shumta gjatë natës. Sipas njoftimit zyrtar, u raportuan më shumë se 80 incidente që lidhen me sjellje të pahijshme, dëmtime të pronës dhe përdorim të mjeteve piroteknike.

Patrullat e policisë kantonale, rajonale dhe komunale kryen kontrolle identiteti, ndërsa si masë parandaluese konfiskuan vezë dhe mjete piroteknike. Policia vuri në dukje se shumë të rinj mbanin me vete mjete të tilla shpërthyese.

Gjenevë: Gjatë natës u raportuan 27 raste zjarri, të cilat kërkuan ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente. Shumica e rasteve kishin të bënin me djegien e kontejnerëve të mbeturinave.

Përveç kësaj, mjete piroteknike u hodhën në drejtim të policisë dhe automjeteve emergjente. U kryen disa arrestime, ndërsa, sipas policisë së Gjenevës, nuk pati persona të lënduar.

St. Gallen: Qendra kantonale e thirrjeve emergjente regjistroi rreth 30 raportime, kryesisht për prishje të qetësisë publike, përdorim të fishekzjarrëve, grumbullime të mëdha të të rinjve dhe dëmtime të pronës.

Një rast veçanërisht i rëndë u regjistrua në oborrin e një shkolle në Goldach. Gjatë natës, një kuti postare u hodh në erë, një kontejner mbeturinash u dogj, ndërsa afro 40 ndriçues të trotuarit dhe katër kamera sigurie u dëmtuan me mbishkrime grafiti.

Sipas policisë, dëmi material arrin në disa dhjetëra mijëra franga zvicerane. Për rastin ka nisur hetimi.

Cyrih: Në kantonin e Cyrihut, shërbimet emergjente u përballën me më shumë se 130 incidente të lidhura me Halloween-in.

Mbi 50 raportime kishin të bënin me përdorimin e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike. Policia ndërhyri rreth 60 herë për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike. Gjithashtu, u regjistruan rreth një duzinë rastesh të dëmtimit të pronës dhe zjarresh të vogla, si dhe disa përleshje fizike.

Në disa pjesë të kantonit, festa të ndryshme të Halloween-it u ndërprenë nga persona të jashtëm, çka detyroi policinë të ndërhynte.

Ndërkohë, në Küsnacht dhe Meilen, disa adoleshentë u kërcënuan nga persona të panjohur me mjete piroteknike, boksa metalikë dhe sprej piperi. Ata u detyruan të dorëzonin një portofol, një orë dore dhe xhaketa.

Fribourg: Edhe në kantonin e Fribourgut, policia u detyrua të ndërhynte në disa incidente ku ishin përfshirë grupe të rinjsh.

Rastet përfshinin hedhje gurësh, përdorim të fishekzjarrëve dhe hedhje vezësh. Dy autobusë pësuan dëmtime aq të mëdha nga objektet e hedhura në drejtim të tyre, saqë u desh të tërhiqeshin nga qarkullimi.

Në dy lagje të kryeqytetit kantonal u dogjën gjithashtu kontejnerë mbeturinash. Deri në momentin e raportimit nuk ishte bërë asnjë arrestim, ndërsa hetimet vazhdonin.

The post Halloween-i në Zvicër mban policinë në gatishmëri: fishekzjarrë, zjarre dhe akte vandalizmi në disa kantone appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.