Grenelli futet në ‘lojë’ për Presidentin, Salihaj zbulon çfarë mund të fshihet pas mbështetjes për gjashtëshen e LDK-së

Grenelli futet në ‘lojë’ për Presidentin, Salihaj zbulon çfarë mund të fshihet pas mbështetjes për gjashtëshen e LDK-së

Ndërhyrja publike e Richard Grenellit në zhvillimet e fundit politike në Kosovë, përmes mbështetjes së gjashtë deputetëve të LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President, po shihet me shqetësim nga ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Salihaj në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerësoi se deklarata e Grenellit nuk është thjesht një mbështetje individuale për disa deputetë të LDK-së, por ka për qëllim të ndikojë në përçarjen e marrëveshjes mes LDK-së dhe LVV-së dhe të pengojë konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Adem Salihaj

Sipas tij, përkrahja publike e Grenellit për gjashtë deputetët e LDK-së synon që marrëveshja mes dy partive të mos zbatohet dhe Kosova të mbetet në krizë institucionale.

“Ndërhyrja e Grenellit ka për qëllim t’i inkurajojë deputetët e LDK-së që të mos e përkrahin marrëveshjen LDK-LVV. Qëllimi i fundit është që të mos bëhet konstituimi i institucioneve të Kosovës dhe të vazhdojë kriza institucionale, e cila e dëmton Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm”, deklaroi Salihaj.

Ai shprehet kritik edhe ndaj faktit që disa deputetë të LDK-së po marrin mbështetje publike nga Grenelli, duke e konsideruar këtë si një situatë që, sipas tij, nuk duhet t’i bëjë ata të ndihen mirë.

“Motivet e Grenellit janë të qarta, ai mban anën e Serbisë dhe përpiqet ta dëmtojë Kosovën. Avdullah Hoti dhe deputetët e tjerë nuk duhet ta ndiejnë veten mirë që u jep përkrahje një njeri siç është Grenelli, sepse dihet botërisht se ai është njeri i paguar nga Serbia dhe i dekoruar me dekoratë të lartë nga presidenti serb Vuçiq për shërbimet që ia ka bërë shtetit dhe politikës serbe”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, Salihaj e sheh përplasjen rreth zgjedhjes së Presidentit edhe si pjesë të një beteje më të gjerë politike për të ardhmen e institucioneve të Kosovës.

Ai thekson se kundërshtimi ndaj kryeministrit Albin Kurti duhet të bëhet përmes mjeteve demokratike dhe votës së qytetarëve, e jo përmes bllokimit të institucioneve.

“Lufta për ta larguar Kurtin nga pushteti duhet të jetë me votë të elektoratit, jo me obstruksione ndaj institucioneve. Kjo mënyrë e luftës, para se ta dëmtojë Kurtin, i dëmton interesat e Kosovës”, përfundoi Salihaj për “Bota sot”.

 


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.