Haxhiu: Një përfaqësues i Kryesisë së Kuvendit do të jetë pjesë e grupit punues për Specialen

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për themelimin e Grupit Punues në mbështetje shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka thënë gjithashtu se Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi dhe se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do të propozojnë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë Grup Punues.
“Aktgjykimi i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe i pasaktë. Në këtë fazë, është thelbësore që procesi në Apel të mbështetet nga një strategji e përbashkët shtetërore, me angazhim të koordinuar dhe mbështetje të plotë institucionale. Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi. Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë, do të propozojmë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë Grup Punues, në funksion të kontributit institucional për një mbrojtje sa më të mirë në procesin e Apelit”, ka thënë mes tjerash Haxhiu.
Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.
Grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



