Industria zvicerane e armëve mes rekordeve të eksportit dhe shqetësimeve për të ardhmen

Zvicra ka regjistruar nivele rekord të eksporteve të materialit ushtarak gjatë viteve të fundit, por në sektorin e mbrojtjes po shtohen shqetësimet për humbjen e besueshmërisë dhe të kapaciteteve prodhuese.
Në vend operojnë rreth 140 kompani të sektorit të mbrojtjes, ndërsa afërsisht 3 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme furnizojnë këtë industri me komponentë të ndryshëm.
Sipas të dhënave, eksportet zvicerane të materialit ushtarak arritën në 955 milionë franga në vitin 2022, ndërsa në vitin 2025 kapën vlerën prej 948 milionë frangash. Megjithatë, ky sektor përbën vetëm 0.2 për qind të eksporteve të përgjithshme të vendit.
Gjermania ishte blerësi më i madh i armëve zvicerane në vitin 2025, me 386 milionë franga, e ndjekur nga SHBA-ja me 94 milionë, Hungaria me 63 milionë dhe Italia me 62 milionë franga.
Debati për të ardhmen e industrisë është intensifikuar pas vendimit të autoriteteve zvicerane për të mos lejuar transferimin e armëve zvicerane drejt Ukrainës. Si pasojë, disa shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, Danimarkën dhe Holandën, kishin paralajmëruar orientimin drejt furnizuesve të tjerë.
Përfaqësuesja e Grupit për një Zvicër pa Ushtri (GSOA), Pauline Schneider, vlerëson se rritja e eksporteve dëshmon se industria nuk është në krizë dhe se nuk ka arsye për lehtësimin e mëtejshëm të rregullave.
Në anën tjetër, Matthias Zoller, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së industrisë Swiss ASD, paralajmëron për humbjen e besimit në prodhuesit zviceranë. Sipas tij, rënia e eksporteve gjatë viteve 2023 dhe 2024, pavarësisht rritjes së kërkesës ndërkombëtare për armatim, është tregues shqetësues.
Ai paralajmëron gjithashtu se prodhuesit e mëdhenj evropianë po blejnë gjithnjë e më pak produkte të teknologjisë së lartë nga Zvicra, duke u orientuar drejt komponentëve më lehtë të zëvendësueshëm. Kjo, sipas tij, rrezikon humbjen e njohurive dhe ekspertizës industriale të vendit.
Ndërkohë, Schneider kundërshton këtë argument, duke theksuar se, pavarësisht llojit të armatimit të eksportuar, armët përfundojnë jashtë vendit dhe mund të përdoren kundër popullsisë civile.
Zvicra renditet në vendin e 20-të në botë për eksportin e armatimit gjatë periudhës 2021–2025, me rreth 0.3 për qind të eksporteve globale të armëve.
E ardhmja e këtij sektori pritet të jetë një nga çështjet kryesore në votimin e 29 nëntorit, kur qytetarët zviceranë do të vendosin për ndryshimet e propozuara në Ligjin mbi Materialin Ushtarak.
The post Industria zvicerane e armëve mes rekordeve të eksportit dhe shqetësimeve për të ardhmen appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



