Zvicër: Zjarr i madh në një fabrikë përpunimi të mbetjeve bimore, tymi përhapet

Një fabrikë për përpunimin e mbetjeve bimore në komunën Neuenegg, në kantonin e Bernës në Zvicër, është përfshirë nga një zjarr i madh të hënën në mbrëmje. Sistemi zviceran i alarmimit, Alertswiss, ka paralajmëruar për tym të dendur dhe u ka bërë thirrje banorëve të shmangin zonën.
Pamjet e publikuara nga një lexues i portalit zviceran Blick tregojnë objektin të përfshirë nga flakët.
Policia kantonale e Bernës ka konfirmuar se njësitë emergjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarrit kanë vazhduar edhe gjatë mbrëmjes.
Paralajmërim për tym të dendur
Rreth orës 21:15, sistemi zviceran i alarmimit Alertswiss ka lëshuar një paralajmërim për shkak të tymit të dendur në rajon.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën e prekur, t’i mbajnë dritaret dhe dyert të mbyllura, si dhe të ndalin sistemet e ventilimit dhe klimatizimit, për të parandaluar depërtimin e tymit në ambiente të brendshme.
Zjarri i dytë në të njëjtin objekt brenda vitit
Sipas raportimit të Blick, ky duket të jetë zjarri i dytë në të njëjtin objekt gjatë këtij viti.
Zjarrfikësit e Neuenegg-ut kishin raportuar edhe për një incident të ngjashëm më 7 maj. Në atë rast, për shkak të një zjarri që vazhdonte të digjej ngadalë brenda impiantit, ekipet emergjente kishin qëndruar në terren për rreth 23 orë.
Shkaqet e zjarrit të së hënës dhe dëmet e shkaktuara ende nuk janë bërë të ditura.
The post Zvicër: Zjarr i madh në një fabrikë përpunimi të mbetjeve bimore, tymi përhapet appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



