Iu dolën vetëm 52 vota, Murati: Deputetët e komuniteteve ishin jashtë sallës, s’ishte votë për qeveri
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, tha se votat e djeshme për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve nuk përbënin mbështetje apo votë për qeverinë. 52 deputetë votuan për këtë raport, 46 kundër dhe 11 abstenuan. Ky numër u konsiderua si tregues se Lëvizja Vetëvendosje s’i ka numrat e mjaftueshëm për
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, tha se votat e djeshme për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve nuk përbënin mbështetje apo votë për qeverinë.
52 deputetë votuan për këtë raport, 46 kundër dhe 11 abstenuan. Ky numër u konsiderua si tregues se Lëvizja Vetëvendosje s’i ka numrat e mjaftueshëm për krijim të institucioneve.
Megjithatë, këtë po e mohon Murati, i cili shtoi se disa deputetë të komuniteteve joshumicë ishin jashtë sallës së Kuvendit kur ndodhi votimi.
“Votimi i djeshëm nuk paraqet votim për qeveri, apo votë apo mbështetje ndaj qeverisë, votimi i djeshëm ka qenë votim i procedurës formale. Zakonisht pa dallim të gjitha subjektet parlamentare e kanë votuar sepse është çështje procedurale, teknike ku deputeti deklarohet a po e pranon mandatin që ia ka dhënë populli. Askush s’e ka menduar që duhet të sigurohemi që të gjithë të jemi në sallë kur u hodh në votim kjo procedurë”.
“Ishte si hap për të kaluar në hapin e radhës, pra s’ka të bëjë të paraqitjes së besimit apo mbështetjes për një rol të caktuar në krijimin e institucioneve kjo ishte vetëm se si deklarohen.
“Për disa që në atë moment nuk ishin sallë. Kanë qenë duke diskutuar jashtë sallës për çështje në raport me koordinimin në mes tyre, por s’ka të bëjë me mungesë të mbështetjes apo nuk ka të bëjë me shpërfaqje apo tregim të fuqisë politike të cilitdo tabor”.
Kur u pyet për atë se çka do të pasojë pas dështimit të seancës së djeshme konstituive, Murati përsëriti atë që dje e tha bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, se janë në një “territor të pashkelur”.
“Ishit dëshmitarë të asaj çfarë ndodhi, Kuvendi në tërësi, edhe pse deputetët e partisë tonë ishin për, por shumica votuan kundër, kjo nënkupton refuzim të pranimit të rezultateve të certifikuara të KQZ-së. Si shkohet tutje mbetet të shihet në vazhdim. Kryesuesi Avni Dehari ka paralajmëruar se do t’i drejtohet presidentes”.
“Jemi në territor të pashkelur. Një gjë e tillë s’ka ndodhur më herët. Mbetet të shihet. Gjithsesi synimi ynë është që të jemi të përkushtuar që sa më parë të ketë rilegjitimim”.